Aktori i mirënjohur Robert Ndrenika feston sot 75-vjetorin e lindjes. Pas karaktereve të goditura në skenën e teatrit dhe të kinemasë, aktori i dashur për publikun shqiptar gjendet këto ditë duke bërë provat e fundit për shfaqjen “Mendohu Xhiakomino” me autor Luigji Pirandelon ku Ndrenika vjen në rol kryesor të profesor Totit.
E në datëlindjen e tij të 75-të, regjisori Muharrem Fejzo u rikthehet kujtimeve të tij. Në rrëfimin e tij për gazetën “Shekulli” ai kujton se në filmin “Fijet që priten” Robert Ndrenikës iu dha fillimisht roli i punonjësit të Sigurimit.
Por ky rol iu mor më pas, për shkak se pushtetarët e kohës nuk mund të pranonin që vëllai i një të arratisuri të luante rolin e “një prej njerëzve të tyre”, ndaj urdhëruan zëvendësimin e menjëhershëm të tij.
Pas largimit nga ky projekt, Fejzo që ndiente barrën e rëndë të vendimit, i ofroi rolin e Kockës tek “Mësonjëtorja”. (XH.A/SHUPLAKA)