Deputetja Mimoza Hafizi ka paraqitur sot pranë Komisionit të reformës kërkesat e saj dhe të disa deputetëve të tjerë lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
“Sot paraqita në Komisionin e Reformës Zgjedhore kërkesat tona, të dy deputetëve LIBRA dhe një grupi deputetësh nga forca të ndryshme politike, për ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe në disa ligje të tjera, tek të cilat ne mbahemi fort, dhe i konsiderojmë emergjente për përmirësimin e administrimit zgjedhor në zgjedhjet e 18 Qershorit 2017.”, njofton Hafizi përmes një statusi në Facebook.
Ndërkohë Hafizi sqaron edhe cilat janë propozimet e këtij grupi deputetësh.
Propozimet:
• Përbërje jopartiake të komisioneve zgjedhore
• Numërim elektronik të votave
• Tavan mbi shpenzimet e partive politike dhe audit ndërkombëtar mbi këto financime
• Ashpërsim të masave për shitblerjen dhe tjetërsimin e votës
• Të drejtë vote për emigrantët
• Hapësirë të barabartë mediatike gjatë fushatës
• Dekriminalizim të listave zgjedhore.
Komisioni i Reformës Zgjedhore u mblodh sot për herë të parë, vetëm 5 muaj nga zgjedhjet e rradhës.
Sipas deputetes, ky komision bllokohet prej vitesh dhe ka marrë peng vullnetin e shqiptarëve për ndryshime ligjore që çojnë në zgjedhje të lira e të ndershme.
“Ndonëse nuk jam anëtare e këtij komisioni, unë do të marr pjesë në të gjitha mbledhjet e tij, me të drejtën e fjalës që ma garanton ligji, për të shtjelluar kërkesat për ndryshime ligjore, si dhe për të garantuar para qytetarëve transparencën e punës në këtë komision.”, shkruan Hafizi.
Komisioni i sotëm u mblodh sot pa praninë e medias.