Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishin të pranishëm në inspektimet e punimeve që po kryhen në zonën e ish-stacionit të Trenit ku vendosën dy pllakat e para të Bulevardit të Ri.
Kreu i Qeverisë, Edi Rama, vuri theksin tek arritjet e qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, të cilat ecin në drejtimin e duhur. Kryeministri u shpreh se Tirana mund ta kishte pasur edhe më përpara këtë shesh, këtë bulevard por Tiranës iu desh të humbe vite për të ecur tashmë në drejtimin e duhur.
Kryeministri theksoi se me votën, njerëzit vendosin shumë më tepër se ç’mendojnë. E lidhur me këtë projekt, Edi Rama tha se ndihet i përkëdhelur pavarësisht se bëri aq sa mundi e jo sa deshi.
“Shumë rëndom ne dëgjojmë se vota nuk ka rëndësi. Shumë rëndom njerëzit bëjnë gabimin e madh të mendojnë, se: “pavarësisht nëse votoj, apo nuk votoj, në fund të ditës asgjë nuk ndryshon, se të gjithë janë njësoj”.
Këtu jemi sot në një truall që është dëshmi e krejt të kundërtës: Është dëshmia e faktit se çfarë, në fakt, njerëzit vendosin me votën e tyre; Nëse vota shkon në drejtim të gabuar, ose nëse shkon në drejtimin e duhur; Nëse qëndrojnë në shtëpi dhe ua lënë tjerëve vendimmarrjen, duke u bërë përgjegjës për çdo rast kur vota shkon në drejtimin e gabuar.
Tirana mund ta kishte pasur këtë Bulevard sot. Tirana mund ta kishte Sheshin “Skënderbej” sot.
Tirana mund të mos ishte sot, në vitin 2017, një kryeqytet që ende nuk ka arritur të mishërojë një vizion të 87 viteve më parë, kur dy arkitektë vizionarë të thirrur nga mbreti Zog projektuan këtë segment fantastik dhe unikal, që e bën Tiranën të veçantë dhe që i krijon kushte organizmit të saj që të zhvillohet në mënyrë të shëndetshme.
Por, ja që për shkak të votës, gjërat nuk shkuan ashtu siç do duhej të shkonin. Për shkak të votës Tirana humbi vite, u përpëlit në një kurth të pakuptimtë dhe faktikisht u tërhoq zvarrë.
Po për shkak të votës, Tirana sot, jo vetëm është vënë në lëvizje, por është vënë në lëvizje me një shpejtësi të re, me një shpejtësi që nuk e ka pasur asnjëherë falë lidershipit të Kryetarit të Bashkisë, falë ekipit të bashkisë, falë mobilizimit të ndjeshëm, në çdo aspekt, të të gjithë njerëzve që punojnë me bashkinë, apo për bashkinë dhe që lidhet me këtë energji të jashtëzakonshme të re që i ka sjellë Tiranës pikërisht një votë në drejtimin e duhur.
Falë votës në drejtimin e duhur, Tirana do të ketë shumë shpejt Bulevardin e ri. Tirana do të ketë shumë shpejt, më në fund, sheshin e vet. Është absurde! Është i vetmi kryeqytet pa shesh në Europë!
Për fat të keq, është edhe i vetmi qytet në Shqipëri, që tanimë po ndërton në fund sheshin e vet. Këto janë fakte kuptimplota të një të vërtete shumë të thjeshtë. Me votën, njerëzit vendosin shumë më tepër nga ajo që duket në pamje ta parë.
Me votën, njerëzit vendosin shumë më tepër nga ajo që ata kanë tendencën shpeshherë të mendojnë, jo vetëm në raport me të tërën, por edhe në raport me veten e tyre. Sepse, ky bulevard dhe këto vepra nuk iu shërbejnë thjesht atyre që i përdorin, por i shërbejnë një zhvillimi shumë më të madh, shumë më të shpejtë ekonomik dhe social.
Nga këto vepra përfiton sot Tirana dhe do të përfitojë më shumë nesër kur ato të jenë të realizuara.
Këtu jemi pikërisht në Bulevardin që lidh Tiranën e sotme, me Tiranën e Gjeneratës Tjetër. Ky është një privilegj shumë i madh dhe sigurisht është dhe një përkëdhelje, pse mos ta them, e sedrës time si ish-Kryetar i Bashkisë që bëra sa munda, jo aq sa desha, për ta çelur pikërisht rrugën që lidh të sotmen me të ardhmen; rrugën që lidh qytetin që kemi, me qytetin që duam; rrugën që lidh atë që kemi trashëguar nga të parët tanë, me atë që kemi detyrim t’ua lëmë fëmijëve tanë.”, u shpreh kryeministri.
Pëpara Ramës, kreu i Bashkisë së Tiranës, nuk i kurseu lavdërimet ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës sot kryeministër, të cilin e vlerësoi për vizionin dhe hapin që ndërmori për këtë qytet duke rrezikuar edhe fushatën e tij.
Në fjalën e tij ku ai parashtroi arritjet e deritanishme të bashkisë dhe planet në vazhdim, Veliaj u shpreh se tashmë është e dukshme për qytetarët të kuptohet se kush fle dhe kush punon duke nënkuptuar drejtimin e bashkisë në kohën e parardhësit të tij Lulzim Basha.
Ai bëri gjithashtu të ditur se ndër projektet më të afërta është ai i Ditës së Verës, kur parashikohet të hapet Pazari i Ri dhe parkingu në Sheshin Skënderbej.
“Ne në Tiranë jemi mësuar të jemi optimistë. Sot festojmë këtë ringritje të Tiranës. Jam i lumtur që me kryeministrin do të vendosim dy pllakat e para. Të përkushtuar ndaj çdo projekti për qytetin.
Unë kam qenë në Amerikë, kam qenë studentë dhe mbaj mend si Edi Rama diskutonte masterplanin për t’i dhënë frymë Tiranës. Një hapësirë bashkuese, lumi që na ndan me Kamzën nuk është ndarje. Duhet të mendojmë si do lidhemi dhe jo do ndahemi me ata që jetojnë në Kamëz dhe Paskuqan.
Ne arritëm në 500 ditë të justfikonim besimin e qytetarëve. Sa e rëndësishme është të kuptojmë kush fle dhe kush bën punë. Në 14 mars do të hapim parkingjet në Sheshin Skënderbej, do të hapim Pazarin e Ri dhe do të zgjidhim situatën e parkingut në Bulevardin e Ri. Tani le të presim njeriun që pati vizionin dhe riskoi edhe fushatën e tij. E rëndësishme nuk është të fitojmë çdo betejë por luftën.”, u shpreh Veliaj. (XH.A/SHUPLAKA)