Hipotekat në të gjithë vendin kanë nisur dje zbatimin e çmimeve të reja fiskale për shitblerjen e apartamenteve dhe procesin e rivlerësimit.
Sipas Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nga dita e djeshme, pas botimit në Fletoren Zyrtare, të gjitha zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme po zbatojnë çmimet e reja fiskale.
Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive, në zonat kadastrale ku çmimet janë rritur, qytetarët që kanë bërë rivlerësimin, kanë të drejtë për të aplikuar sërish për rivlerësimin e diferencës së çmimit të rritur.
Rivlerësimi për diferencën e çmimit të rritur bëhet me qëllim favorizimin e këtyre qytetarëve, në rast shitjeje të apartamentit apo dhurimit të tij për të mos paguar më shtrenjtë nga tatimi 15% që aplikohet, pasi rivlerësimi i jep apartamentit çmimin sipas vlerës së tregut dhe tatimi që ata do të paguajnë pothuajse zerohet.
Çmimet në Tiranë:
Për një apartament në Rrugën e Durrësit, ku çmimi i mëparshëm fiskal ishte 100 mijë lekë/m², qytetari që ka bërë rivlerësimin, ka të drejtë të aplikojë për diferencën e çmimit të ri, pasi në këto zona çmimi fiskal është shtrenjtuar 2 mijë lekë/m². Nëse apartamenti me 50 m² është rivlerësuar me çmimin 100 mijë lekë m², vlera e tij llogaritet 5 milionë.
Për kryeqytetin, çmimet fiskale janë ulur në 4 zona kadastrale, por kjo gjë nuk penalizon qytetarët që kanë bërë rivlerësimin dhe atyre nuk do t’u duhet të aplikojnë sërish për diferencën.
Çmimet në qytetet e tjera të vendit:
Çmimet fiskale janë rritur në 17 qytete të vendit si Vorë, Kamzë, Sukth, Vlorë, Himarë, Sarandë, Përmet, Kukës, Peshkopi, Shëngjin dhe në njësitë administrative Kashar, Dajt dhe Farkë.
Në Vlorë, çmimi fiskal është rritur 2400 lekë/m². Nëse një qytetar që ka një shtëpi 50 m², dhe ai e ka rivlerësuar me çmimin e mëparshëm fiskal prej 59,400 lekë/m², tatimi që do të paguajë, nëse aplikon sërish për rivlerësimin me çmimin 61,800 lekë m², është 2400 lekë. (A.R/SHUPLAKA)