Në çdo vend tjetër të botës kush ka prona është i pasur, por ndryshe ndodh në Shqipëri. Në vendin tonë, kush ka prona veçse i shton problemet vetes.
Pas rrëzimit të regjimit komunist dhe ardhjes së demorkacisë, ish-pronarët që u grabitën në 45 vjet komunizëm shpresuan se do të rimerrni pasuritë e tyre, por edhe sot pas 26 vjetësh ata sorollaten sërish rrugëve të gjykatave.
Me ardhjen në pushtet në vitin 2013 qeveria Rama premtoi se do të vendoste rregull njëherë e përgjithmonë në këtë fushë delikate.
Por duket se edhe kuadri i ri ligjor nuk ka shërbyer për zgjidhjen e çështjes, por si një perde tymi, pas së cilës fshihen abuzime skandaloze me fondin e kompensimit fizik, atij financiar, etj.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar kohët e fundit një auditim të performancës në Agjencinë e Trajtimit të Pronave Tiranë lidhur me periudhën nga 1 janar 2014 deri më 30 qershor 2016. Ajo çka zbulohet tregon se qeveria po maskon një proces vjedhjesh e mashtrimesh, që del qartë pas abuzimeve të konstatuara, shkruan gazeta “Standart”.
E implikuara kryesore në këto mashtrime është pikërisht drejtoresha e kësaj agjencie Sonila Qato.
Fondi i Kompensimit
Ekipi i Kontrollit të Lartë të Shtetit konstaton psh se në administratën e Agjencisë së Trajtimit të Pronës – siç emërtohet tanimë zyrtarisht ish-Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave – ka pamjaftueshmëri pune lidhur me krijimin, mosmenaxhimin, marrjen dhe vënien nën administrim, mosevidentimin në data base funksional dhe mosmarrjen e masave për përdorimin e Fondit për kompensim fizik të ish-pronarëve të 157 objekteve me sipërfaqe totale trualli 250.051 m2, nga e cila sipërfaqe nën objekte 84.863 m2, sipërfaqe funksionale 177.587 m2, me vlerë të objekteve prej 2.103.876.644 lekë, sipas raporteve të vlerësimit nga e cila: 1.175.311.447 lekë vlera ndërtimore e objekteve dhe 928.545.227 lekë vlerë trualli në momentin e vlerësimit; gjendje kjo në kundërshtim me ligjin.
ATP deri në 6-mujorin e parë 2016 ka pamjaftueshmëri, mungesë llogaritjesh apo bilanci të nevojave për objektet e lira në krijimin e FKF, mungesë plan-veprime strategji, lidhur me krijimin e përdorimin e Fondit vënë në dispozicion, i cili rezulton i pamjaftueshëm, jo real dhe i mundshëm, me numër të kufizuar dhe në rënie, përkatësisht sipas viteve: në vitin 2009 janë 51 objekte ose 32 %, vitin 2010 janë 1 objekt ose >1 %, në vitin 2011 janë 34 objekte ose 22 %, në vitin 2012 janë 42 objekte ose 27 %,, në vitin 2013 janë 4 objekte ose 3 %, në vitin 2014 janë 18 objekte ose 11 %, në vitin 2015 asnjë objekt dhe 6 mujorin I 2016, 7 objekte ose 4%, që tregon mungesë bashkëpunimi nga ministritë dhe organet e NJQV-ve me ATP për identifikimin dhe vënien në dispozicion të objekteve, trojeve, pasurive të ndodhura nën administrimin e ish-ndërmarrjeve të ministrive përkatëse dhe në juridiksion territorial të ish-NjQV-ve, aktualisht të Bashkive. Kuptohet që këtu ka fajin e vet edhe ministria e Ekonomisë. Në vitet 2015-2016 janë kthyer nga ATP, sipas kërkesës së Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETTS), Fondi i kompensimit Fizik në Objekte është pakësuar për 9 objekte me 25.420 m2 truall, me 10.213 m2 sipërfaqe ndërtimi objektesh me vlerë totale 139,4 milionë lekë, kthyer përkatësisht sipas periudhave; 6 objekte në vitin 2015 me sipërfaqe trualli 24.910 m2, sipërfaqe ndërtimi 9.703 m2, me vlerë totale 132,8 milionë lekë; 3 objekte në 6 mujorin I të vitit 2016 me sipërfaqe trualli 510 m2, sipërfaqe ndërtimi 510 m2, me vlerë totale 6,7 milionë lekë.
Ky fond kompensimi fizik i objekteve i pakësuar nuk është përdorur në destinacionin e caktuar.
Nga ana tjetër, ATP nuk ka zhvilluar asnjë procedurë ankandi për vënien në destinacion përdorimi të Fondit Kompensimi Fizik, përbërë prej listës së 157 objekte, me vlerë prej 2,103,876,644 lekësh ose afro 16 milionë euro. Jo vetëm, kaq: nga Drejtoresha e Përgjithshme e stafi aktual i ATP-së për periudhën 2013-dhjetor 2015, përveç se nuk është vepruar për ankandin e objekteve, por ka munguar dhe menaxhimi, marrja, vënia nën administrim e objekteve dhe ka munguar kryerja e identifikimit te gjendjes juridike reale e fizike, për 157 Objekteve të Fondit Fizik për Kompensimin e Pronarëve, vënë në destinacion. Kjo ka sjellë një dëm për shtetin, i cili nuk ka fondet e mjaftueshme për të kryer kompensim në natyrë, rrjedhimisht duhet të paguajë ish-pronarët nga paratë e buxhetit.
Oborret
Në ATP deri më 30.06.2016 janë depozituar kërkesa për tjetërsim të sipërfaqes oborr në përdorim dhe çelur 1.431 dosje dhe nuk janë trajtuar 1.134 kërkesa-dosje, ose 79%. Nga ATP/AKKP Tiranë, nga punonjësit që kanë lëvizur nga vendi punës dhe që kanë ndërprerë punën, nuk është bërë me procesverbal marrja në dorëzim si dhe dorëzimi i dosjeve të kërkesave të oborreve. Ndërkohë, rezulton që ATP në 4 raste ka marrë vendime për tjetërsimin e truallit “oborr në përdorim” në mospërputhje me përcaktimet ligjore, pasi mungon dokumenti që vërteton ndërtimin e objektit para datës 10.08.1991. ATP, në 2 raste ka marrë vendime për tjetërsimin e truallit “oborr në përdorim”, në mospërputhje me përcaktimet ligjore, pasi sipas konfirmimit të pushtetit vendor drejtuar ATP-së, këto sipërfaqe janë përcaktuar sipas planeve rregulluese, për tu përdorur si hapësira publike. Në 4 raste ka marrë vendime për tjetërsimin e truallit “oborr në përdorim”, në mospërputhje me përcaktimet ligjore, pasi sipas konfirmimit të ZVRPP drejtuar ATP-së, mbi truallin e tjetërsuar ka ndërtime të paligjshme, për rrjedhojë ATP-ja nuk duhet të vazhdonte procedurën e shqyrtimit të kërkesës. Dhe në 4 raste personi përfitues nuk zotëronte të gjithë objektin, por një pjesë të tij, rrjedhimisht pronësia e oborrit në përdorim u takonte në bashkëpronësi të gjithë prestarëve që zotërojnë pronësi në objekt, pasi shërben si sipërfaqe në funksion të gjithë objektit.
Legalizimet
ATP në asnjë rast nuk ka respektuar afatet ligjore, në lidhje me shqyrtimin e dosjes nga data e aplikimit, deri në marrjen e vendimit përkatës. ATP në asnjë rast nuk ka inventarizuar dosjet e çelura sipas kërkesave për shpërblim të sipërfaqes takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Nga auditimi me zgjedhje i 120 dosjeve, mbi vlerësimin, pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave për kompensim për pronarët e pasurive të paluajtshme pronë private që preken nga ndërtimet informale u konstatua vetëm në një rast është njoftuar subjekti kërkues e përfitues në lidhje me lëvrimin e këstit të kompensimit. Në 35 raste nuk janë respektuar afatet ligjore të përcaktuar pasi ka kaluar afati ligjor i shqyrtimit të kërkesës prej 3 muaj. Nga auditimi me zgjedhje i 50 dosjeve të kërkesave për shpërblim të sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale në asnjë rast nuk kanë inventar.
Bllokimi
Për periudhën objekt auditimi 01.01.2014 deri në 30.06.2016 nga ATP nuk ka vendime për kthim prone dhe për kompensim në natyrë apo vlerë të pronave, pra rezulton se është pezulluar kompensimi fizik dhe në vlerë të pronës, nuk është realizuar asnjë proces kompensimi fizik dhe në vlerë për llojin e pronës truall, tokë bujqësore, pyje, livadhe apo kullota, pezullim i cili nuk mbështetet me aktet ligjore. Kjo, ndonëse në fondin e ATP kanë kaluar pyje e kullota me një sipërfaqe prej 50.960 ha, vlerësuar financiarisht me rreth 60 miliardë lekë apo 445 milionë euro. Në momentin e auditimit nga ATP nuk është vlerësuar financiarisht ky fond, nuk ka një metodikë apo akt ligjor ku është mbështetur vlerësimi financiar i fondit pyjor e kullosor.
Barra e gjyqeve
Në ATP kanë ardhur 190 vendime Gjykatash që kanë prodhuar detyrime, të cilat cenojnë fondin e kompensimit, sjellin mbishpenzim për buxhetin e ATP dhe të buxhetit të shtetit, me vlerën totale gjigande 379.989.000 lekë. Për periudhën 10.10.13-30.6. 2016 nga ATP me titullare Sonila Qaton , detyrimet janë rritur gati 1,35 herë krahasuar me periudhën para deri 10 tetorit 2013; pra janë krijuar për 84 vendime vlerë totale 218.381.000 lekë.
Abuzime me punonjësit
ATP Tiranë, Ish-AKKP, ka rezultuar me strukturë të paqëndrueshme të punësuarve, mungesë menaxhimi të burimeve njerëzore dhe të aktivitetit të Njësisë, karakterizuar nga emërimet e shpeshta pa kriter, me kohëzgjatje minimale, deri me ditë e muaj për punonjësit e pranuar rishtas, lëvizje të shpeshta brenda sektorëve etj, që kanë sjellë risqe në përmbushjen e funksionit të ATP për periudhën 2013-30.6.2016, ne kundërshtim me normat e Kodit të Punës. Për vitin 2013, janë emëruar rishtas 65 punonjës ose 71%, ndryshuar sektori për 48 punonjës ose 53%, larguar 37 ose 41%, vende bosh 10 ose 9%, me kohëzgjatje të marrëdhënies së punës të punonjësve emëruar rishtas 7, 20 ditë, 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 11 muaj. Vlera total prej 41.355.000 lekësh e pagës së 41 punonjësve të larguar përbën mbishpenzim për buxhetin e shtetit.