Shkrimtari i njohur kosovar Ramiz Kelmendi ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare. Lajmin për vdekjen e ka dhënë një i afërmi i tij, gazetari Adriatik Kelmendi.
“Me pikëllim të thellë e zemër të thyer, të dashur familjarë, miq e dashamirë, ju njoftoj se sonte u nda nga jeta axha im, që e kisha shumë më shumë se axhë, Ramiz Kelmendi, në moshën 86-vjeçare”, ka shkruar gazetari.
Ramiz Kelmendi nuk njihej vetëm si shkrimtar, por edhe si publicist e gazetar. Në firmën e shkrimtarit, ai la pas romane, drama dhe tekste shkollore ndër të tjera. Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Shtatë persona ndjekin autorin”, “Vija e vrragë” dhe “Abrakadabra”.
Pjesë e një brezi intelektualësh të kulturuar në ish-Jugosllavi, Ramiz Kelmendi renditet krahas atyre që mbrojtën identitetin shqiptar dhe ndryshuan imazhin për shqiptarët në sytë e kombeve dhe kulturave që formonin Federatën Jugosllave. (XH.A/SHUPLAKA)