Manjani Këtë mbrëmje Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka bërë një rrëfim të gjatë në studion e emisionit “Top Story” në televizionin “Top Channel”.
Manjani ka folur për herë të parë për krisjen që lindi korrikun e shkuar gjatë reformës, foli për Balilin, për hashashin, për ligjin e mbrojtjes së investitorëvë dhe për Sorosin.
Ligjet:
Sipas Manjanit, ka një sërë ligjesh në arkiv të propozuara nga ai që nuk kalojnë, por ai shprehet se nuk e di arsyen se pse ndodh kjo.
“Unë nuk e di pse nuk kalojnë. Unë kam propozuar një ligj tjetër për mbrojtjen e investitorëve të mëdhenj dhe ai ligj do të kishte mbrojtur edhe biznesmenin libanez, edhe ai ligj nuk kalon. Kam propozuar një ligj për të përmirësuar titullin ekzekutiv, nuk ecën as ai. Kam propozuar që të hapim shkollën e magjistraturës për t’i paraprirë reformës në drejtësi. Ai ligj mbeti në sirtar dhe nuk u bë asnjëherë, aq sa u detyrua komisioni i reformës që të fusë disa shtesa në ligjin e vettingut për magjistraturën. Edhe rasti i legalizimeve, ngrita 2-3 çështje parimore dhe ju i kishit me shumë korrektesë ato. Nuk jam ende në pozitën që të dal në konkluzionin që qeveria ku unë bëj pjesë është një qeveri mosntruoze. Unë bëj detyrën me shumë korrektesë.”, u shpreh Manjani.
Hashashi:
Ndërsa lidhur me hashashin, Manjani shprehet se është një fenomen që ekziston në mënyra të frikshme, dhe Shqipëria jep imazhin se gjithnjë e më shumë po kultivon hashash. Por, sipas ministrit kjo duhet të marrë fund.
“Sa më shpejt të heqim këtë fenomen nga kokat tona aq më mirë do të jetë, sa më vonë aq me keq do të jetë. Lëvizin shuma marramendëse parash, ku nuk do të jetë më askush i zoti që ta bëjë këtë luftë pastaj proporcionale. Ne duhet ta ndalim me çdo kusht, me ushtri, xhandarmëri e të tjera. Unë jam për rikthimin e xhandarmërisë për të kontrolluar territorin.”, shtoi Manjani.
Balili:
I pyetur nga gazetari Sokol Balla lidhur me faktin se Klement Balili endet i lirë, Manjani u shpreh se padrejtësi të tilla ndodhin kudo.
Gazetari: Megjithatë ju morët masa lehtësuese për përdoruresit dhe kultivuesit e vegjël, se kemi parë shpërndarës e kultivues të vegjël të dënuar ndërkohë që Klement Balili është i lirë, nuk mendoni se është padrejtësi.
Ylli Manjani: Ka plot padrejtësi të tilla. Një kryetar bashkie që është në burg tek Krimet e Rënda, se i kërkoi një vajze diçka dhe kemi dhe kryetar bashkie që kanë shit femra dhe janë në detyrë.
Dubai:
Sokol Balla e pyeti ministrin edhe për thashethemet që ai ka udhëtuar në Dubai me Balilin, por ai i hodhi poshtë ato.
“Do të më bëhej qejfi, por nuk kam qenë asnjëherë në Dubai…Ka njerëz që duan të bëjnë lajme dhe në kohën e fundit janë shtuar shumë.”, u shpreh Manjani.
Soros:
Balla e ngacmoi Manjanin edhe për ardhjen e Trump në krye të SHBA-së, që thuhet se do luftojë “perandorinë sorrosiane”. Që sipas thashethemeve, supozohet se mbështet kryeministrin Rama.
“Në fakt, këto janë teori konspiracioni, por po të shohësh, ekspertët ishin ose të Fondacionit Sorros, ose të lidhur me Fondacionin Sorros… Dua të them që një pjesë e ekspertëve kanë qenë të fondacionit Sorros dhe disa ekspertë janë paguar nga Sorros. Këto lloj faktesh kanë ushqyer këtë teori konsipracioni.”, tha ministri i Drejtësisë. (D.D/Shuplaka)