Partia Socialiste ka rrëzuar propozimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për listat e hapura. Lidhur me këtë çështje, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Taulant Balla, u shpreh se listat e hapura kanë impact negative tek gratë.
Sipas Ballës, listat e hapura penalizojnë gratë, pasi në rast aplikimi nuk do të ketë më shumë se 3 gra.
“Dhe në këto zgjedhje nuk do të kemi lista të hapura. Pavarësisht se vetë jam pro maxhoritarit të pastër. Nëse aplikohen lista të hapura, fleta e votimit do ishte si libër 66 faqe. Lista e hapur penalizon gratë, nëse aplikohen nuk do ketë më shumë se 3 gra. E rëndësishme është të respektohet vullneti i qytetareve. Çdo korrektim super profesional që modifikon vullnetin e zgjedhësit nuk na çon gjëkundi”, u shpreh Taulant Balla.
Lidhur me kërkesën e demokratëve për votimin elektronik, ai u shpreh se nëse ekspertiza profesionale garanton dhe merr përsipër atë që politika e ka konsideruar pamundësi teknologjike, atëherë le të bëhet.
“Për votimin elektronik, a ishin të gjithë dakort? Po! Jemi përballur me pamundësi teknologjike të cilës ne si politikë nuk i dalim dot ballë. Nëse ekspertiza profesionale na garanton dhe e merr përsipër, hajde ta bëjmë. Por nuk duhet të harrojmë se ka dyshime edhe në SHBA mbi këtë sistem. Edhe sikur të marrim dy dite më shumë për numërimin nuk është problem,” u shpreh socialisti Balla. (XH.A/SHUPLAKA)