Edhe pse i ftohti Siberian ka më shumë se një muaj që ka kapluar Shqipërinë dhe Europën, në Spitalin Rajonal të Lezhës ngrohja është akoma problem shqetësues.
Kjo pasi kaldaja që siguron ngrohjen ndizet me orar.
Në të tilla kushte të vështira, pacientët janë detyruar të marrin ngrohëse nga shtëpia.
“Nuk ka ngrohje. Është dy orë pastaj fiket. Kemi marrë nga shpia reflektorin për ngrohje.”, tregon një pacienty për Ora News.
Këtë problem nuk e mohon as Përgjegjësja e repartit të teknikës në Spitalin Rajonal të Lezhës Teuta Marku.
Deklaratat e përgjegjëses e bëjnë akoma më tronditëse këtë situatë, pasi tregon se ndonëse ky shërbim duhej të ishte 24 orë, këtë vit është më i miri që është realizuar në këtë spital.
“Është me orar, por orari mbulon më tepër se gjysmën e 24 orëshit. Në dhomat e pacientëve ka ngrohje. Sivjet është vendosur kaldaja me naftë. Edhe rendimenti është më i lartë.”, tregon Marku. (D.D/Shuplaka)