Me mbi 700,000 shkarkime në iOS dhe Android si dhe me mbi 100,000 përdorues aktivë, startupi shqiptar “Hello”, ka lancuar këtë javë një sërë veçorish të reja për përdoruesit e saj anembanë botës.
“Hello” është aplikacion mobil për iOS dhe Android, që mundëson komunikim falas për 2 minuta me persona të ndryshëm gjithandej botës, por që tani me versionin më të ri mundëson edhe disa veçori si: dizajn tërësisht i ri, vazhdim i bisedës, lidhje brenda apo jashtë shtetit me të cilin janë regjistruar, mundësinë për të shtuar miq, etj.
Duke punuar në drejtim të krijimit të lidhjeve të reja mes njerëzve përmes komunikimit të lirë dhe anonim, “Hello” tashmë ka arritur që të realizojë mbi 30 milionë thirrje mes më shumë se 700,000 përdoruesve në të dy platformat celulare, ndërsa për kuriozitet një përdorues mesatarisht e përdor aplikacionin 18 minuta, kurse 54% e përdoruesve janë meshkuj dhe 46% femra.
Në versionin e ri “Hello” shfaqet me një dizajn tërësisht të ri, që mundëson regjistrim të lehtë me Facebook, por gjithsesi anonim, dhe me të cilin proces, përdoruesit më pas janë në gjendje të ruajnë kontaktet me të cilët ju pëlqen biseda dhe të komunikojnë me ta edhe në mënyrë aktive pas përfundimit të thirrjes, shkruan “Koha Ditore”.
Aplikacioni gjithashtu veçohet edhe me mundësi për të blerë “zemra”, përmes të cilave mund të zgjatet biseda përtej 2 minutave apo mund të zgjatet lista e njerëzve të cilët mund t’i ruash në listën e kontakteve të preferuara. (A.R/SHUPLAKA)