Pas investigimit të djeshëm publikuar nga Citynews për kontratën e bashkëshortes së deputetit socialist Alfred Peza, për blerjen e aksioneve në Credins Bank, reagojnë sot analistët dhe gazetarët Andi Bejtja, Blendi Fevziu, Saimir Kodra, Artan Hoxha dhe Poli Hoxha. Ata tregojnë a janë të pasur.
Blendi Fevziu
Unë kam shumë prona që administroj, por nuk mund të kem cash 1 milion dollarë.
Saimir Kodra
Prej gati 20 vjetësh jam ndoshta një nga njerëzit më të paguar në media, për shkak të punës në sektorin privat. Kam librezën e punës dhe kam paguar taksat, kontributet në shtet, edhe pse kam qenë i mirëpaguar nuk mund të kem kurrë mundësinë që të kem 1 milion dollarë, disa shtëpi, disa makina, fëmijët jashtë shtetit, apo të tjera përfitime që kanë ministrat dhe deputetët. Prandaj të lutem mos bëj shaka.
Andi Bejtja
Nëqoftëse do flas për vete jo vetëm nuk bëhet fjalë që ta kem këtë shifër, po kam dhe borxhe dhe kredira…Vërtet mund të jem paguar mirë në këto vite, por nga ana tjetër kam pasur dhe shumë momente pa punë fikse, ashtu sikurse dhe shumë probleme shëndetësore që kanë ndikuar në ekonominë time.
Për njerëzit nuk ka shumë rëndësi sa lekë mund të kem unë personalisht, ti apo tjetri.. Njoh dhe gazetarë që kanë marrë 20 mijë euro në muaj dhe nuk kanë mundur t’i bëjnë bashkë 1 milionë USD, sikurse njoh dhe gazetarë me prona të mëdha që edhe mund t’i kenë bërë kaq lekë, edhe mund të mos i kenë bërë… Këto nuk kanë rëndësi për publikun dhe për shoqërinë, rëndësi ka të funksionojë shteti ligjor, çka do të thotë që në momentin kur ti depoziton kaq miliarda lekë në një bankë, banka të kërkojë verifikimin e origjinës së lekëve, e kështu çdo hallkë të bëjë punën e vet konform ligjit.
Nuk dua të paragjykoj askënd për pasurinë që mund të ketë vënë; nëqoftëse shteti në rastin që keni ngritur ju ka bërë punën e duhur atëherë nuk kemi çfarë flasim. Nëqoftëse nuk e ka bërë është një histori ku duhen penalizuar shumë aktorë, jo vetëm një. Ka shumë njerëz të thjeshtë që e kanë të vështirë të depozitojnë mbi 10 mijë euro në një bankë, ka me dhjetëra njerëz të thjeshtë që kanë ikur nga administrata shtetërore se nuk kanë deklaruar 1000 euro në formularin e deklarimit të pasurisë…e shumë raste si këto. Kështu që sa të rrimë e të tregojmë sa lek ka njëri sa lek ka tjetri është më korrekte të kërkojmë zbatimin e ligjit. Nëqoftëse kjo nuk është bërë…kjo është skandaloze!
Artan Hoxha
Në të vërtetë unë nuk kam asnjë llogari bankare përveç asaj ku marr rrogën si gazetar i ”News 24”. Dhe aty sapo kalon rroga e tërheq të gjithën, pasi më nevojitet për shpenzimet e përditshme të familjes dhe shkollën e djalit. Kështu praktikisht unë kam 0 lekë kursime në bankë edhe pse kam hyrë në vitin e 21-të në karrierën time si gazetar. Për fat të mirë media ku punoj prej 19 vitesh ka qenë gjithnjë korrekte me pagesat dhe kjo më ka shpëtuar nga një siklet më i madh.
Për pyetjen e dytë, do të thosha që në fillim kur kam nisur këtë profesion kolegët më të vjetër më kanë thënë se: Ky profesion mund të të bëjë të famshëm, por jo të pasur. Ndërsa kolosi i gazetarisë italiane, Indro Montaneli ka një shprehje brilante. Ai thotë: Nëse takon një gazetar të pasur mos i zër kurrë besë.
Poli Hoxha
Pyetjes suaj nuk di si t’i përgjigjem, në këtë situatë që ka plasur mes “patricëve të zhurmshëm në bollëk” të medias; Duhet të më vijë “turp”, që pas 20 vitesh intensive gazetari duke filluar që nga malet e Tropojës, kur nuk hynte as RENEA, e deri te themelimi i ”Panorama”-s dhe drejtimi i të paktën 5-6 gazetave, jo vetëm nuk kam fare llogari bankare e shtëpi timen e ende i gëzohem ditës së rrogës, apo të jem krenar që ndoqa këtë rrugë?!.
Është një situatë absurde kur e mendon qetë. Të duket vetja i shfrytëzuar më keq se një skllav, që ka punuar në një minierë diamantesh, por edhe që në fund të fundit gurin e çmuar, atë më të shtrenjtin e ka “vjedhur” për vete; integritetin profesional dhe personal.
Habitem me habinë e shumë kolegëve. Ne i kemi ditur të gjitha këto, por e kemi pranuar këtë realitet në mënyrën tonë, sipas karakterit të gjithsecilit. Nuk kam shpresë se do të ndryshojë gjë në median shqiptare, edhe pas kësaj hapje barku që po i bëjnë njëri-tjetrit një grup që kanë fryrë dhe investuar po njëri-tjetrin, për të qenë këtu ku janë; me paga (ato janë asgjë përpara skemës që kanë krijuar me pushtetin e rradhës, për punësime e sekserizma) të frikshme, kur i krahason me lëmoshat e gazetarëve që bëjnë punën e vërtetë.
Gjithsesi e gjitha kjo që po ndodh e ka një gjë të mirë; ka nisur aksidentalisht vettingu në media dhe më e bukura është që po e bëjnë vetë “peshkaqenët”, deri sa të qetësohen dhe të rigrupohen sërish, për të mbrojtur statukuonë e tyre./ Citynews