Një ditë më parë Ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri, i kërkoi BE-së të ndërhynte për të ndaluar trenin illegal që është nisur nga Beogradi për në Mitrovicë.
Por përgjigja e Bashkimit Europian nuk ka qenë ajo që priste ministrja Tahiri.
Zëdhënësja e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Maja Kocijançiq, është shprehur se jo vetëm kjo çështje por çdo problem tjetër midis Kosovës dhe Serbisë i takon atyre ta zgjidhin me njëri-tjetrin dhe jo BE-së.
“Çfarëdo çështje e përbashkët (në mes Kosovës e Serbisë) duhet të diskutohet mes palëve në frymën e normalizimit të raporteve mes tyre”, thotë Kocijançiq për Klan Kosovën.
Sipas raportimeve, treni serb i blerë me kredi ruse tashmë është nisur nga Beogradi për në Mitrovicë. Në pjesën e jashtme të trenit janë shkruar në shqip parrulla të tipit: “Kosova është Serbi”. (D.D/Shuplaka)