Deputeti Flamur Noka, bën pjesë në radhët e zyrtarëve që po hetohen nga sektori i verifikimit bazuar në ligjin e dekriminalizimit në Prokurorine e Përgjithshme.
Sipas televizionit “ABC News”, Noka dyshohet se nuk ka thënë të vërtetën në formularin e vetëdeklarimit. Hetimi ndaj tij nisi si pasojë e kërkesës së 20 deputetëve të Partisë Socialistë.
Madje sipas televizionit në fjalë, Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar një letër-porosi Kosovës për të verifikuar akuzat e ngritura.
Flamur Noka dyshohet se është ndaluar në Prizren në vitin 1991, nga policia e ish-Jugosllavisë.
Nga arkivat e policisë së Kosovës, kërkohet të verifikohet nëse Flamur Noka ka qëndruar ndonjë ditë i arrestuar apo vetëm është marrë në pyetje dhe është lënë i lirë.
Prokuroria është në pritje të përgjigjes së autoriteteve Kosovare, për të marrë vesh të vërtetën. Ndërkohë Prokuroria ka nisur hetimet edhe ndaj dy deputetëve të tjerë të Kuvendit, të cilët dyshohet se janë dënuar jashtë Shqipërisë, por nuk bëhet i ditur identiteti i tyre.
Këta dy deputetë dyshohen se kanë përdorur identitetin e personave të tjerë në momentin kur janë proceduar penalisht.
Prokuroria u ka kërkuar me anë të letër-porosive shenjat e gishtërinjëve të dy deputetëve.
Përveç Nokës dhe këtyre dy deputetëve, Prokuroria po kryen verifikime edhe për rreth 170 persona të tjerë, deputetë e zyrtarë të lartë, të cilët gjithashtu dyshohen se nuk kanë deklaruar të dhëna të sakta në formularin e vëtëdeklarimit.
Deri më tani janë verifikuar mbi 500 raste nga Sektori i Verifikimit në Prokurorinë e Përgjithshme.(D.D/Shuplaka)