Edhe gazetat gjermane “Süddeutsche Zeitung” dhe “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i kanë kushtuar artikuj tensionit mes dy vendeve të rajonit, Kosovës dhe Serbisë. Pas tensioneve që shkarkoi arrestimi i Ramush Haradinaj, situata u përkeqësua me trenin serb që Serbia tentoi të fuste në territorin kosovar.
Të dyja mediat gjermane e cilësojnë trenin serb me parrullën “Kosova është Serbi” si një provokim që u ndoq me ndërrmarjen e masave ushtarake dhe deklarata të ashpra nga krerët e vendeve.
Në artikullin e saj, “Süddeutsche Zeitung” shkruan ndër të tjera:
“Pas 18 vjetësh ndërprerje, Kosova që shpalli pavarësinë në vitin 2008, pranoi lidhjen hekurudhore mes vendeve. Në vend të kësaj, Beogradi i vuri flakën tensioneve të vjetra duke nisur një tren serb drejt Mitrovicës, i cili nuk arriti atje. Për shkak se treni u konsiderua provokim. Serbia e kishte lyer me ngjyrat kombëtare dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në gjuhë të ndryshme.
Më pas gazeta gjermane shkruan për reagimin e Vuçiç, i cili deklaroi se në Kosovë u dërgua tren dhe jo tanke, për reagimin e Nikolic dhe të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. “Süddeutsche Zeitung” shkruan dhe për pavarësinë e Kosovës që ende nuk është njohur nga Serbia.
Edhe “Frankfurter Allgemeine Zeitung” flet për marrëdhënien e thyer mes dy vendeve. Ajo citon deklaratat e mediave serbe, të kryeministrit Vuçiç dhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që e cilësoi trenin si provokim dhe urdhëroi ndalimin e tij.
Në fund, “Faz” teksa përshkruan situatën mes dy vendeve shkruan se “BE ka ndërmjetësuar për vite me rradhë në masë të madhe, por pa sukses”. (XH.A/SHUPLAKA)