”Numërimi elektronik kusht për garantimin e votës, opozita e bashkuar”, kështu shprehet kryedemokrati pas takimit me krerët e partive të koalicionit opozitar.
”Koalicioni opozitar me pjesëmarrjen edhe të PBDNJ dhe AK nënshkruan memorandumin që sanksionon se votimi dhe numërimi elektronik është kusht thelbësor për garantimin e votës së lirë e të ndershme.”, thotë Basha, i cili ishte përkrah kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule dhe Kreshnik Spahiut të Aleancës Kuq e Zi.
”Opozita është e bashkuar dhe kauza e saj është e qartë: vota e qytetarëve, vullneti i tyre duhet të vendosë qeverisjen e vendit.
Zgjedhjet e lira nuk janë thjesht kërkesë e opozitës, por kauza e të gjithë popullit dhe interes jetik për vendin. Ndaj ftoj të gjitha partitë politike që duan zgjedhje të lira dhe të ndershme t’i bashkohen koalicionit tonë për votën e lirë.
Çdo justifikim apo shmangie nga kjo çështje është kundër interesit të vendit.”, përfundon Basha.
Sot në PD u krye edhe mbledhja e grupit parlamentar të PD-së, ku pati debate lidhur me reagimet që duhet të ketë opozita në vijim, para zgjedhjeve të përgjithshme. Në mbledhje u diskutua edhe bojkoti i parlamentit. (V.G/SHUPLAKA)