Me anë të një postimi në rrjetet sociale, deputetja e PD-së Mimoza Hajdarmataj ka dhënë detaje lidhur me atë çfarë është diskutuar në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar demokrat.
Sipas saj, “për Opozitën do të jetë nisja e një beteje të re parlamentare, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme politike. Kjo betejë do të bazohet mbi platformën e PD, dorëzuar mazhorancës qysh në maj të vitit të kaluar, e cila si linjë kryesore ka votimin dhe numërimin elektronik”.
Ja çfarë shkruan deputetja Mimoza Hajdarmataj:
“Sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar, para nisjes së sesionit të ri.
Për Opozitën do të jetë nisja e një beteje të re parlamentare, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme politike. Kjo betejë do të bazohet mbi platformën e PD, dorëzuar mazhorancës qysh në maj të vitit të kaluar, e cila si linjë kryesore ka votimin dhe numërimin elektronik. Vetëm përmes këtij instrumenti, shqiptarët do të mund të votojnë të lirë, me vullnet të pashtrembëruar nga mazhoramca dhe qeveria. Në të njëjtën linjë, për forcimin e përpjekjeve parlamentare, në sigurim të votimeve të lira, të pablera e të pashitura nga varfëria, ishim të gjithë sot, pavarësisht propozimeve të shprehura më mënyra të ndryshme nga kolegët”.
Grupi parlamentar i PD-së, i mbledhur sot nga kryetari Lulzim Basha, ka diskutuar hapat që duhet të ndërmarrë për të realizuar zgjedhje të lira dhe ndershme në vend, përkundër kundërshtimeve të mazhorancës.
Deputetët demokratë kanë dhënë propozime të ndryshme, si për shembull, bojkotin e Kuvendit dhe protesta mbarëpopullore, por aty ka pasur edhe kundërshti e hezitime nëse këto hapa do të kishin efekt.
Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, u ka kujtuar deputetëve një model ku opozita nguli këmbë fort, por në fund fitoi:
“Pika më kritike në 4 vjet ka qenë dekriminalizimi dhe për të sakrifikuam 6 muaj, por ia dolëm. Sot i gjithë territori është mbushur me banda të ministrave dhe deputetëve, ndaj opozita duhet të përdorë gjithë potencialin e saj për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Misioni ynë është të rikthejmë besimin në institucionin e zgjedhjeve të lira e të ndershme,” u shpreh ish-kryeministri. (A.R/SHUPLAKA)