Nga Dritan Hila –
Në mbledhjen e saj të fundit Partia Demokratike e ka vënë si kusht të panegociueshëm votimin elektronik në 2017-ën, kusht ky që ka edhe mbështetjen e LSI dhe të deputetit Ben Blushi.
Sesa e mirë për demokracinë, ndershmërinë e votimit dhe që Shqipëria të bëhet më së fundmi një vend normal në leximin e votës është kjo praktikë, nuk do shumë argumente. Edhe vetë PS kur ishte në opozitë e dëshironte. Dhe si gjithmonë ishte pushteti që nuk e do sepse është një mënyrë për të shmangur pazarin apo vjedhjen e votës.
Benefitet e saj janë gjithmonë më të mira sesa vështirësitë në aplikim apo frika për manipulim nga piratët elektronik. Në një vend të vogël si Shqipëria hakerimet janë të papërfillshme, sepse të tilla kanë qenë edhe në SHBA me një popullsi 100 herë më të madhe. Kjo kauzë ka qenë e ndritur në 2013 ashtu siç është edhe sot, dhe nuk bëhet më pak fisnike pse sot e hedh poshtë Taulant Balla. Ky vend ka pasur gjithmonë papagall pa mend. Por kjo është një çështje e rëndësishme për shqiptarët.
Kjo kauzë nuk ka vetëm përkrahjen e një partie të madhe dhe satelitëve të saj por edhe të një partie vendimtare në qeverisje si LSI. Se cilat janë arsyet e saj, kjo pak rëndësi ka, por e rëndësishme është të krijohet fronti.
Është e vërtetë që pa pranimin e PS, kjo reformë nuk mund të bëhet jo vetëm sepse nuk janë votat, por edhe sepse nuk mund të nxirret jashtë loje një aktor kryesor. Atëherë ajo që është me rëndësi ka të bëjë me presionin ndaj të cilës duhet vënë PS. Askush nuk e vë në dyshim që PS do të përdorë të gjitha armët që të fitojë këto zgjedhje.
Kjo fillon nga bonusi që ka duke qenë në pushtet; elementëve të dyshimtë që deri dje ishin deputetë por janë ende në prapavijë dhe të gjitha aleancat për të cilat Rama ka treguar se nuk ka parime. Por përballë një fronti të përbashkët, ajo nuk ka legjitimitet moral mos ta pranojë.
PD ka deklaruar se nëse nuk bëhet votimi elektronik, ajo nuk futet në zgjedhje. Ky është një kërcënim i bërë edhe më përpara për raste të ndryshme dhe nuk është mbajtur asnjëherë. Por nuk ka kauzë më fisnike në një vend sesa votimi i lirë dhe i paprekshëm. Ndaj duhet të tregojë se është e gatshme mos të hyjë në zgjedhje. Me mbërthimin që i ka bërë Rama shtetit, e vetmja shpresë e Lulzim Bashës është ta vendosë Ramën përballë shqiptarëve. Së dyti, i duhet një front i intelektualëve dhe personaliteteve i cili e bën Ramën të duket i vjetruar në cicmicet e tij të modelit Berisha, si i vetmi që ai njeh. I duhet ti shtrijë dorën gjithkujt që ka një fytyrë publike apo akademike.
Nëse e bën, pushteti e ka të vështirë ta zhvlerësojë këtë front me Taulant Ballën, Alfred Pezën apo ish drejtorët e bashkisë. Dhe natyrisht që do të humbasin valencën e tyre edhe zërat apo segmentet brenda PD që bëjnë lojërat e tyre meskine.
Një kërcënim për mospjesëmarrje në zgjedhje është vetëm fillimi. Nëse ja dilet që edhe publiku të besojë se këtë radhë partitë që e përkrahin projektin e kanë seriozisht, edhe ata do ta përkrahin. Kjo do të kalojë mes betejash, kulisash, bisedimesh të gjata. Por nuk duhet të ketë tërheqje edhe sikur të arrihet një gjysmë fitore. Në të kundërt, nuk do jetë disfata e Bashës, i cili mund ti ruajë pozitat e tij brenda PD dhe justifikohet para ndjekësve. Por do jetë një humbje e demokracisë shqiptare.
/Dritare.net