Joaquin Guzman, i njohur si “El Chapo” është ekstraduar së fundmi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Njeriu që u shndërrua në një legjendë për mënyrën se si u shpëtonte burgjeve, deklarohet se mbërriti mbrëmjen e djeshme në New York, pas ekstradimit të tij në SHBA.
Pritet që Guzman të shfaqet përpara trupit gjykues të premten, në një seancë gjyqësore që do të mbahet në Brooklyn. Masat e sigurisë janë shtuar në burgun në Manhattan ku ai do të qëndrojë në pritje të masës së dënimit.
Autoritetet meksikane ekstraduan lordin e drogës në prag të inaugurimit të Presidentit të ri të SHBA-ve, Donald Trump. Gjashtë akuza në të gjithë SHBA-në rëndojnë mbi “El Chapo”-n, ku pretendohet se ai ka sjellë drogë me vlerë miliarda në SHBA, për t’i pastruar më pas në Meksikë.
“El Chapo” nuk do të përballet me dënimin me vdekje, por thuhet se rrezikon burg përjetë në Amerikë për akuzat e trafikut të drogës. (XH.A/SHUPLAKA)