Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e Dashamir Tahirit për shqyrtimin e vendimit për heqjen e mandatit të deputetit.
Dashamir Tahiri kërkoi pezullim të vendimit deri në përfundimin e hetimeve, por kërkesa për pezullim është rrëzuar duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ai ishte një prej emrave të dy deputetëve dhe një prej tre në total për të cilët Prokuroria kërkoi më 20 dhjetor që të linin detyrën.
Pas kërkesës së Prokurorisë, KQZ i hoqi rreth një muaj më parë mandatin e deputetit Tahirit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi mandatin pas akuzës për mosdeklarim në formularin e dekriminalizimit.
“Shtetasi Dashamir Tahiri, me funksion “Deputet” rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” të dhëna:
- Në vitin 1995 është raportuar nga policia në Foggia për krime lidhur me falsifikimin e parave;
- Në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata në Ravena (për të vuajtur 9 muaj burgim) për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar.
- Subjekti është kontrolluar disa herë nga policia;
- Subjekti Tahiri ka dhënë shpjegimet e tij në Sektorin e “Dekriminalizimit”, duke deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të dënimit me burgim në Ravena. Ndërsa, lidhur me procedimin për “fallsifikim parash”, ka deklaruar se bëhet fjalë për një episod në autostradë, kur ai është mashtruar nga një kamarier lokali, i cili i ka dhënë para fallse.”, citohej në dokumentin e Prokurorisë së Përgjithshme.