Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ndjekur nga afër punimet në kuadër të rikonstruksionit të unazës rurale që lidh lagjen Shirt me Pezë-Helmësin.
Ai u shpreh ndër të tjera se investimi i ndërmarrë nga bashkia i vjen në ndihmë banorëve, që gjatë dimrit u duhej të përballeshin me baltën e pakalueshme dhe në verë me pluhurin e madh.
Ai siguroi se nga krijimi i kësaj unaze përfitojnë 4500 banorë në fshatin më të madh të njësisë Pezë. Sikundër është shprehur edhe më parë, ai tha se 2017 do të jetë viti i investimeve në fshat, ndaj ka kërkuar mirëkuptimin e banorëve për vështirësitë që do u duhet të hasin.
“Në vitin tonë të dytë fokusi janë zonat rurale, pasi nuk mund të kemi një bashki të Tiranës që zhvillohet me dy shpejtësi; njëra që ecën me shpejtësi më të madhe në qytet, dhe tjetra me shpejtësi më të vogël në fshat. Duhet të ecim të gjithë me të njëjtën shpejtësi, që t’ia vlejë jeta si në fshat, ashtu edhe në qytet. U kërkoj mirëkuptim qytetarëve që teksa kantieret e punës janë hapur, qarkullimi vështirësohet pak. Megjithatë besoj se kemi mirëkuptim, është e vetmja mënyrë se si mund të ecim shpejt. E di që jemi vetëm në vitin e dytë të mandatit tonë, por më vjen mirë që kemi mbajtur shumicën e premtimeve tona dhe shpresoj se do të bëjmë më shumë se ç’kemi premtuar, si për Tiranën fshat, ashtu edhe për Tiranën qytet”, u shpreh kryebashkiaku. (XH.A/SHUPLAKA)