Pak çaste përpara nisjes së takimit në Bruksel të njoftuar më parë, ku presidentët dhe kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë do të takohen së bashku, ka reaguar Isa Mustafa.
Nga Brukseli, kryeministri i Kosovës sqaroi për mediat se takimi i ditës së sotme është i një rëndësie të veçantë, si rrjedhojë e ngjarjeve të fundit. Ai shprehu nevojën që ky takim të jetë fillimi i fazës përfundimtare të dialogut.
Sa i përket tensionit që ka shkaktuar Serbia qoftë me arrestimin e Haradinajt dhe trenin serb në Kosovë, kreu i Qeverisë kosovare tha se kohët e fundit ka pasur përpjekje nga Serbia për destabilizim të Kosovës, por Kosova është e përcaktuar për paqe dhe fqinjësi të mirë me të gjitha vendet.
“Presim që ky takim të jetë fillim i fazës përfundimtare të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë takim të nivelit të lartë, ku do të marrim pjesë së bashku me presidentin e Republikës, do të prezantojmë qëndrimet e institucioneve të shtetit tone.
Kohëve të fundit ka pasur veprime sistematike të Serbisë për të destabilizuar gjendjen në Kosovë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo edhe përmes strukturave të tyre paralele.
Por, po ashtu jemi shumë të vendosur që të mos lejojmë ndërhyrje të askujt në punët e brendshme të Kosovës dhe të parandalojmë dhe evitojmë çdo provokim i cili ka për synim destabilizimin e situatës në vendin tonë.
Takimi si i tillë nuk mendoj se e përcakton formatin e ardhshëm të dialogut. Para së gjithash ne duhet t’i sqarojmë temat dhe çështjet për të cilat ka nevojë të dialogohen në të ardhmen”, ka thënë Mustafa. (XH.A/SHUPLAKA)