Pas largimit nga drejtimi i Mapo-s, gazetari Alfred Lela është përballur live në një studio televizive me botesin e gazetës, Henri Çili.
Të ftuar në emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili, Çili dhe Lela kanë debatuar me njëri-tjetrin lidhur me linjën editoriale dhe kontratës së firmosur.
Sipas Çilit, gazetari ka dështuar në realizimin e zotimeve të marra në kontratë, por Lela e kundërshtoi duke thën se bëhet fjalë për ndryshimin e linjës editoriale.
“Unë vazhdoj të them që janë të dyja edhe mbarim kontrate dhe ndryshim i linjës. Unë dhe Henri kemi konsumuar disa kontrata, ajo që mbaroi më 31 dhjetor ishte ofertë për të vazhduar me një linjë të tillë, sa nuk mund të përtypej prej meje. Unë do mbaja linjën: Rama është reformator dhe i duhet të marrë edhe një mandat të dytë. Kam qenë me zotin Çili në këtë krah të tryezës edhe para 3 vitesh. Dua të them se dinamika e ndryshimit është e tillë sa nuk ma lejonte të isha në anën e kundërt të tryezës”, është shprehur Lela.
Pavarësisht kësaj, gazetari deklaron se nuk e sheh Çilin si armik.
“Kam thënë largohem sepse linja editoriale më detyron të them se: Rama duhet të marrë një mandat të dytë se është reformator, unë nuk e them dot këtë. Por jeta vazhdon, nuk inskenoj dot armiqësi…Dua të flasim për kuptimin tim të një linje editoriale, ta sqarojmë ku nuk jemi takuar dhe pse jemi ndarë.”, shtoi Lela.
Megjithatë, botuesi Henri Çili këmbëngul se nuk e ka ndryshuar aspak linjën editoriale.
“Thelbi i diskutimit është i tillë, mekanizmat e mediave shqiptare ndryshojnë. Ne do ndahemi gjithnjë e më shumë duke na marrë rolin që na takon. Disa njerëz do shkojnë në të njëjtën vijë me pronarin, analistët në profilin e tyre, asnjë rol nuk është për tu sharë. Mapo është një media e vogël ideologjike. Në kuptimin tim nuk e kam ndryshuar linjën editoriale. Unë vjet në 4 janar kam bërë editorialin e famshëm që reformizmi në 2016 të mos ndryshojë si në 1936. Cilën ide ka ndryshuar media Mapo? Ne jemi një media aq modeste për zhurmën që është krijuar. Në kuptimin tim linja editoriale nuk ka ndryshuar”, thotë ai. (D.D/Shuplaka)