Nga Sonila Meço
Është ekonomia o idiot!
Dhe megjithëse kaluan më shumë se dy dekada qëkurse u tha (në Amerike), idiotët u shtuan dhe ekonomia nuk u bë (në Shqipëri).
Pyesni sot për modelin ekonomik të Shqipërisë, për sektorët e rritjes dhe filozofinë e zhvillimit dhe mandej bëni llogaritë me veten.
Ju dalin? E mbyllni muajin me ankth, e nisni me shfryrje?
Përveç statistikave dhe disa ekspertëve që flasin për rritje të qëndrueshme, le të shohim pak ‘qëndrueshmërinë’ mbi themelet e vërteta:
- Cili sektor e prodhon rritjen në Shqiperi?
- Si ushqehet (nëse ka) makina jonë e inovacionit?
- Sa mendje të ndritura kemi thithur nga emigracioni për t’i shërbyer zhvillimit të ideve? Sa kemi përzënë? Sa ide janë realizuar e janë shndërruar në vlerë ekonomike?
- Sa e mbështesim kërkimin shkencor? Sa të ardhura i marrim tek ai buxhet lëngonjës për t’ja dhënë kërkimit në funksion të zhvillimit? Sa ide janë jetësuar? Në ç’sektorë?
- Sa të pakorruptuar e kemi administratën e burokracinë?
- Si po konsolidohet tregu financiar? Bashkë me bursën ku vlon energjia financiare?
- Thithëm ndonjë investim të huaj që krijoi mundësi prodhimi e punësimi masiv në vend?
- Sa konkurojme me prodhimet e shërbimet tona grekun, maqedonasin, serbin, malazezin, kroatin…(s’po shkoj më larg, po kuturisem rajonit)
- A ju del për të kursyer o njerëz? Për të bërë ndonjë investim sado të vogël me kursimet tuaja? Sa është zgjeruar baza juaj ekonomike?
- A edukoheni kund për të qënë ekonomikisht, politikisht e kulturalisht përgjegjës?
Provoni të kërkoni këto përgjigje, provoni!
Bëni një analizë vetjake se media nuk ka ndërmend ta bëjë për sa kohë padija është rrethana më e favorshme e propagandës. Në fakt për këtë të fundit injoranca është baza e çdo suksesi ekonomik sipas kuteve të saj.
Është ekonomia o idiot!
Hajde gjeje kush është idioti mes nesh që tolerojmë e atyre që na drejtojnë!
(Edhe Sarkozy me kusuret e veta, i mori mendimit ekonomik nje program me 300 propozime nga komisioni bipartizan i kryesuar nga Jaques Attali me idenë si të stimulojmë ekonomine franceze. Pra nuk është turp të mbledhësh mendje nga ata që kanë, t’ja themi këtyre tanëve)