Ministria e Bujqësisë, Edmond Panariti, ka qenë për një vizitë zyrtare në Mal të Zi, për t’u takuar me homologun e tij Milutin Simoviç. Temat kryesore të këtij takimi ishin: marrëveshja për Menaxhimin e Ujrave, grupet e përbashkëta të punës, veterinare dhe fitosanitare për lehtësimin e shkëmbimit të mallrave mes dy vendeve dhe laboratorët e referencës.
Sa i përket marrëveshjes mes dy vendeve për “Menaxhimin e Ujërave”, Panariti e cilësoi si të rëndësishme, firmosja e të cilës mund të bëhet në Tiranë ose Shkodër.
Veç kësaj, Ministri i Bujqësisë deklaroi gjithashtu se, është gati të ushtrojë autoritetin e tij, për të përfshirë edhe Malin e Zi në propozimet që i ka bërë Ministrit Feredal të Bujqësisë së Gjermanisë gjatë takimeve që ka pasur me të, në lidhje me laboratorët e referencës.
“Mali i Zi duhet të shfrytëzojë propozimin e Qeverisë Gjermane, për të shfrytëzuar laboratorët e tij të refencës. Bashkëpunimi nis mes dy vendeve tona, pra Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke shërbyer si fillim i përfshirjes hap pas hapi, edhe i vendeve tjera të Ballkanit”, theksoi Panariti, duke shtuar se, “programet e përbashkëta të të dy vendeve tona, pranë institucioneve ndërkombëtare financiare, janë mjaft të rëndësishme”. Z.Panariti e ftoi për një vizitë në Shqipëri homologun malazes, Simoviç, ftesë që u prit me kenaqësi nga ai. (XH.A/SHUPLAKA)