Ministri grek i mbrojtjes i është përgjigjur letrës së Blendi Fevziut me një tjetër letër. Paksa ironik dhe aspak i qetë ai ka pasur ca fjalë për t’i thënë gazetarit shqiptar.
Letra e plotë:
I nderuar Zoti Fevziu!
Nuk mund të mos e filloj këtë letër pa përshkruar emocionin e thellë që ndjeva kur sekretarja më solli në tavolinë një letër të printuar dhe më tha se ishte një letër e hapur, për mua , dërguar nga Ju personalisht.
Nëse letrën do ma kishit nisur të mbyllur në zarf, do të kisha mundësi ta ruaja si kujtim. Por gjithsesi edhe kështu do ta mbaj në kornizë ,kudo që të shkoj.
Ju lutem më mirkuptoni emocionet zoti Fevziu, pasi pavarësisht se ne jemi bashkëmoshatarë, fatet tona kanë qenë të ndryshme. Ju vini nga një familje fisnike Tiranase dhe keni studiuar letërsi në Tiranë, ndërsa unë nga një familje borgjeze athinjote dhe kam studiuar ekonomi në Francë. Prandaj ma mirëkuptoni emocionin pasi një plebeu si unë nuk para i takon të flasë me fisnikë si ju.
Por le të hyjmë në çështjet e letrës që ju ngrini dhe më lejoni t’iu shpjegoj me përvuajtje gjithë problematikën dhe të sqaroj keqkuptimet që keni.
Ju thoni që jeni i befasuar nga reagimi ynë për dënimin që kemi kërkuar për rekrutët shqiptarë. Më rëntë një pikë. Po ta dija se jeni kaq emocional, do ju kisha lajmëruar më parë.
E kuptoj vokacionin Tuaj iluminist, kur thoni që një vend demokratik nuk sillet si ne dhe i toleron shfaqje të tilla edhe në ushtri. Më lejoni t’iu shpjegoj i nderuar se ushtria në vetvete nuk është institucion demokratik, kështuqë korigjoni pak thepin e shënjestërs me shqekëzën. Mund të ketë atletë që dalin dhe mbajnë flamurin e kombit nga kanë prejardhjen, megjithëse unë nuk njoh të tillë, por duhet t’i besoj erudicionit tuaj. Por siç thuhet sipas vendit bëhet kuvendi, dhe ne kemi rregulla të tilla. Dhe rregulli e do që ti i qëndron besnik flamurit që je betuar, por jo të hash bukën e kaurit dhe të bësh duvanë e turkut. Meqë ra fjala, nuk e di si do të vepronin ushtarët shqiptarë, nëse ndonjë kolegu i tyre do të bënte simbolet e Greqisë. Kam dëgjuar që nuk jeni shumë tolerantë në këtë pikë.
I ndriçuar zoti Fevzi,
Pa pretenduar të barazoj kulturën Tuaj e cila ka jehonë edhe në Greqi, më duhet të saktësoj se shqiponja dykrenore është simbol i Bizantit, pasardhës të së cilit neve jemi. Pra nuk e kemi problemin me simbolin, por me luajalitetin e këtyre djemve që nesër do të duhet ta mbrojnë vendin e tyre të origjinës edhe nga ndonjë sulm shqiptar (larg qoftë).
Gjithashtu, më lejoni t’Ju shpjegoj se në standartet e perëndimit nuk ekziston koncepti i kombësisë. Kështuqë keni harxhuar ca rreshta kot që gjithsesi janë një përkëdhelje për sytë e mi kur mendoj që vijnë nga Ju.
U trondita shumë kur lexova që ju keni qënë edhe në Irak.
Zoti Fevziu, gazetarë si ju nuk ju lejohet të rrezikoni jetën sado i dashuruar që jeni me të vërtetën dhe lajmin. Ju lutem mos e bëni herë tjetër, pasi gadishulli jonë ka pak njerëz si Ju.
U ndjeva i turpëruar kur ju e vutë në dukje se këta emigrantë që kanë ardhur, janë më të mirë se ne dhe janë pjesa më e mirë e Greqisë. Keni shumë të drejtë. Derisa e thoni Ju, duhet të jetë e vërtetë.
Po e mbyll letrën me një premtim dhe një kërkesë.
Premtimi ka të bëjë me vërejtjen tuaj që duhet të jem serioz. Ju betohem që këtë këshillë tuajën do ta kem vath në vesh, këtej e tutje.
Ndërsa kërkesa ka lidhje me të ardhmen tonë. Pra ju lutem herë tjetër m’i nisni letrat e mbyllura, që mos na nxirrni bojën dhe na përjashtojnë pastaj nga BE dhe NATO.
Duke shpresuar edhe në të ardhmen në këshillat dhe vërejtjet Tuaja të vyera,
Miqësisht,
Panos Kamenos
Ministër i Mbrojtjes i Republikës Helene. (E.K/SHUPLAKA)