Një foshnje 2 muajshe me iniciale A. Bajrami ka vdekur një ditë më parë në lagjen nr. 4 të qytetit të Durrësit. Nga dyshimet e para mendohet se shkak është bërë i ftohti për shkak të kushteve në të cilat familja jetonte.
Mësohet se foshnja banonte në një dhomë të vjetër të falur, pa banjo, së bashku me prindërit, babanë 22 vjeç dhe nënën 17 vjeçe. Prindërit së bashku me foshnjen lypnin pranë portit në pamundësi ekonomike.
Halla e foshnjës ka treguar se familja jetonte në gjendje të vështirë ekonomike: “Vëllai kërkonte punë, por nuk gjente. Kur shkova e gjeta fëmijën të pajetë. Kur erdhi ambulanca, fëmija kishte vdekur. Nuk kishte ku ta linte fëmijën, ndaj e merrte me vete. Banesa ishte me lagështi.”
Detaje të Policisë së Durrësit:
Më datë 25.01.2017, në lagjen Nr.4, Durrës ka vdekur në banesë foshnja me iniciale A.B. 2 muajsh.
Nga kqyrja e kufomës nuk janë konstatuar shenja dhune. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.
(Dhoma ku jetonte vogëlushi me prindërit)
(Halla e foshnjes 2-muajshe)