I njohur si “Escobari i Ballkanit” Klement Balili mund të mos jetë larguar nga vendi, por fshihet brenda territorit shqiptar. Kjo është pista më e re e hetimeve të Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, të cilët dyshojnë se Balili komunikon me pjesëtarët e familjes së tij vetëm me letra dhe korrierë.
Sipas “ABC News”, prokuroria dhe policia po punojnë në rrugë operative dhe me metoda speciale për të gjurmuar vendstrehimin e Balilit.
Në sistemin TIMS rezulton se i shpalluri në kërkim nuk ka kaluar kufirin, ndërkohë që policia e përjashton largimin e tij nga vendi edhe përmes mënyrave ilegale.
Burime nga Prokuroria njoftojnë se Balili ëhstë shpallur në kërkim edhe ndërkombëtarisht, megjithatë në faqen zyrtare të INTERPOLIT, nuk figuron asnjë e dhënë me emrin e Klement Balilit.
Gjetja e Balilit është e vështirë shprehen burimet nga policia sipas televizionit, kjo sepse familjarët e tij ende përdorin numra telefoni të parregjistruar.
Të gjithë familjarët e të kërkuarit janë nën vëzhgimin e policisë, e cila beson se ata komunikojnë me Balilin nëpërmjet letrave me korrierë të cilët nuk janë të afërm të familjes. (D.D/Shuplaka)