Në kuadër të 94-vjetorit të Shërbimit Pyjor Shqiptar, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka shprehur fillimisht mirënjohjen ndaj pionerëve të Shërbimit Pyjor Shqiptar dhe më pas u ka bërë thirrje të gjithë të zgjedhurve vendorë që të bëhen pjesë të këtij aksioni qytetar.
Ai është ndalur edhe tek Bashkitë, kryesisht tek ato që ende nuk kanë marrë përgjegjësitë që u takojnë, të përcaktuara me ligj.
Sipas Lefter Kokës, kryebashkiakët që ende vazhdojnë të japin leje subjekteve private vendorë, janë duke ndërmarrë veprime që përbëjnë vepra penale.
“Nuk mund të rri pa ju kujtuar të zgjedhurve vendorë të marrin pjesë në këtë aksion të madh. Ka ende Bashki që nuk kanë marrë përgjegjësitë ligjore, që ju takojnë për menaxhimin e pyjeve.
Unë disa herë e kam kërkuar dhe kujtuar pushtetit vendor detyrimet që kanë. E kam bërë këtë disa herë edhe publikisht. Me keqardhje vërej që ende ka të zgjedhur vendor që nuk kanë pyjet prioritet dhe zbatimin e ligjit për menaxhimin dhe administrimin e tyre. Më vjen shumë keq që ende ka shumë kryebashkiakë, që nuk e kanë kuptuar që terrritori i tyre është zgjeruar, nuk e kanë kuptuar që duhet të marrin nisma për të shtuar sipërfaqe të gjelbëruara, por më e rëndësishmja është që disa prej tyre nuk kanë marrë ende administrimin real të pyjeve. Ende shumë Bashki, nuk kanë ngritur Ndërrrmarrje Publike Pyjore, si detyrim ligjor që e kanë dhe nuk është e udhës që sot ne shohim ende në zona të thella pyjore që ka qytetarë që nuk ju ofrohet ngrohja.
Gjej rastin t’i kujtoj Krerët e Bashkive, sa nuk është vonë, të marrin masa të plotësojnë nevojat e ngrohjes për popullatën dhe njëkohësisht të respektojnë ligjin, i cili specifikon qartaz numrin e specialistëve pyjorë që duhet të punësojnë, si dhe për sipërfaqet e gjelbërimit që duhet ti ofrojnë qytetarëve që i kanë zgjedhur. Ata nuk mund të parashikojnë në buxhetet e tyre vetëm rrugë pallate dhe beton. Nuk është vetëm betoni që ju duhet shqiptarëve. Shumë Kryebashkiakë ende nuk e kanë kuptuar dhe zbatojnë ligjin. Ka kryebashkiakë që ende vazhdojnë të japin leje subjekteve private vendorë. Këto veprime janë vepra për ndjekje penale. Ne kemi identifikuar cdo shkelje të kryer, përmes ISHMP .
Nëse Kryebashkiakët shohin prioritet zgjedhjet e vendimet e tyre i marrin bazuar në këto interesa, kjo nuk është rruga e duhur për qytetarët.”, u shpreh Koka konkretisht.
Gjatë fjalës së tij, ministri solli në vëmendje pionerët e pyjeve duke kujtuar kështu inxhinierin e parë të pyjeve në Shqipëri inxhinierin e parë të pyjeve Mete Shahu nga Korca, shkolluar në Turqi. (XH.A/SHUPLAKA)