FBI dhe DEA amerikane po nxjerrin lajme dhe fakte për inkriminimin e ish-kryeministrit, Sali Berisha, dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Të paktën kështu shkruan avokati i njohur Spartak Ngjela, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Sipas Ngjelës, historia e sotme korruptive dominohet nga binomi Berisha-Meta.
“Kjo është arsyeja që përditë edhe Berisha edhe Meta mallkojnë aleancën shqiptaro-amerikane, sepse është realisht FBI dhe DEA që po mbingarkon me fakte opinionin shqiptar, me fakte kriminale të familjes Berisha dhe të Ilir Metës. Edhe faktet e ÇEZ- it, edhe faktet e inkriminimit Balili për Metën, janë organet e specializuara amerikane që po i sjellin. Dhe do të vazhdojnë të sjellin të tjera, derisa të dy të dorëzohen normalisht në organet e reja të hetimit dhe të gjykimit në Shqipëri”, shkruan ai në Facebook.
Statusi i plotë:
Ne shqiptarët kemi humbur shumë kohë historike në lidhje me modernitetin
- Kështu thonë edhe historianët perëndimorë: shqiptarët vijimisht humbasin kohë në qytetërim dhe nuk i japin dot shtetit të tyre tiparet e shtetit modern.
Kjo është absolutisht e vërtete. Por kjo e vërtetë vijon të jetë edhe sot po kështu: shqiptarët po humbasin kohë historike. Dhe e gjithë kjo, historikisht, ashtu si edhe sot, ka ardhur nga fakti që fqinjët që janë pushtuesit e territoreve shqiptare, kanë blerë korupsionin qeverisës shqiptar.
Deri më sot, ashtu sikundër që e kam theksuar edhe në shkrimet e tjera, asnjë fluks politik që ka ardhur në Shqipëri, me përjashtim të Ismail Qemalit dhe, Fan Nolit e Luigj Gurakuqit, të gjithë ù kanë shërbyer fqinjëve kundër interesit shqiptar, në mënyrë që këta pastaj të siguronin pushtetarët shitës që të sundonin qetë-qetë shqiptarët.
Në fakt, njëlloj si këta të sotmit, të gjithë kanë qënë politikanë pa dimensionin e shtetarit atdhetar, fakt ky që nuk rezulton të jetë kështu në asnjë vend tjetër europian. Pse iu ndodh shqiptarëve gjithmonë kështu, nuk është aq e thjeshtë për t’u analizuar, por ne në këtë analizë na mjafton vetëm përmendja e faktit të vërtetë që përmendëm, gjithë po brenda pyetjes: a do dalim dot nga kjo gjendje?
- Po cila është gjendja sot? Kjo është gjendje e thellë korruptive, dhe për këtë janë të bindur të gjithë shqiptarët. Por çfarë po bëjnë vetë shqiptarët? Asgjë
Në fakt, historia e sotme korruptive dominohet nga binomi Berisha-Meta. Të dy janë të shenjuar ndërkombëtarisht për t’u ndëshkuar penalish, por, pikërisht për këtë, të gjithë shpresën e ekzistencës së tyre, tani pas identifikimit amerikan të korrupsionit të tyre, të gjithë aktivitetin politik e kanë përqendruar te ushqimi i shovinizmit të fqinjëve. Kudo ku shkojnë duan të shesin interesin kombëtar. Por kudo gjenden të bllokuar nga aleanca amerikano-shqiptare në veprim, e cila ka neutralizuar edhe destabilizimin e Shqipërisë aq të dëshiruar nga Berisha.
Kjo është arsyeja që përditë edhe Berisha edhe Meta mallkojnë aleancën shqiptaro-amerikane, sepse është realisht FBI dhe DEA që po mbingarkon me fakte opinionin shqiptar, me fakte kriminale të familjes Berisha dhe të Ilir Metës. Edhe faktet e ÇEZ- it, edhe faktet e inkriminimit Balili për Metën, janë organet e specializuara amerikane që po i sjellin. Dhe do të vazhdojnë të sjellin të tjera, derisa të dy të dorëzohen normalisht në organet e reja të hetimit dhe të gjykimit në Shqipëri.
Por edhe opinioni publik shqiptar duhet të jetë shumë më aktiv kundër krimit shtetëror të denoncuar, sepse kjo është kohe e re që po kërkon të eliminojë përfundimisht abuzuesit me pushtetin politik në Shqipëri. (D.D/Shuplaka)