Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur se pa ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, liberalizimi i vizave mund të mbetet i paarritshëm edhe gjatë vitit 2017-të. Sipas tij, shkak i mbajtjes peng të qytetarëve janë deputetët që po pengojnë procesin.
“Nëse ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi nuk do të bëhet gjatë muajit të ardhshëm (shkurt), liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian (BE) mund të mos bëhet as gjatë vitit 2017.”, është shprehur konkretisht Mustafa gjatë një interviste për “Zërin”.
Shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e vendit është një tjetër qëllim, për të cilin, sipas kryeministrit Mustafa, Kosova do ta bëjë përpjekjen e saj maksimale për ta realizuar.
Sa për vazhdimin e dialogut me Serbinë, ai është shprehur se takimi i javës së kaluar ka pasur për synim dhe ka arritur të ulë tensionet e krijuara. (XH.A/SHUPLAKA)