Irani është gati të hyjë në luftë me SHBA-në pas vendimit të Donald Trump-it për ndalimin e hyrjes në territorin e SHBA-së të shtetasve nga 7 vende myslimane.
Në një intervistë për agjencinë shtetërore iraniane të lajmeve, gjeneral major Ahmed Reza Purdestan, që është edhe zv/komandant i përgjithshëm i i ushtrisë, ka deklaruar se “forcat e armatosura të Iranit janë plotësisht të fuqishme e të gatshme për t’u përballur me çdo armik dhe kjo gatishmëri e ka dridhur armikun”.
Më pas ai shtoi se ka qenë pikërish Amerika ajo që në vitet ’90 ka shtuar praninë ushtarake në Gjirin Persik me qëllim nisjen e konfliktit ushtarak me Iranin.
“Amerika në vitet 1991 dhe 2001 e shtoi praninë ushtarake në Gjirin Persik dhe në rajonin e Lindjes së Mesme me objektiv nisjen e konfliktit ushtarak me Iranin, me përkrahjen edhe të disa vendeve të rajonit, por u tërhoq pasi u përball me vendosmërinë dhe gatishmërinë luftarake të forcave të armatosura të Republikës Islamike të Iranit”.
Ndërkohë edhe ministri i punëve të jashtme të Iranit, Kashkavi është shprehur se këtij vendimi të SHBA-së do t’i përgjigjet në të njëtën mënyrë.
“Iranianët janë pjesë e ngritur e shoqërisë amerikane, prandaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme është formuar një shtab me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ministrive të tjera për të shqyrtuar gjendjen e qytetarëve dhe studentëve iranianë me qëndrim në Amerikë. Vizat për shtetasit iranianë në Amerikë janë lëshuar në bazë të ligjeve të SHBA. Prandaj, ne të gjithë përfaqësive diplomatike të Iranit u kemi deklaruar se ato duhet t’i përgjigjen në mënyrë të njëjtë këtij veprimi të presidentit të Amerikës për ndalimin e hyrjes së shtetasve iranianë në Amerikë”, tha ndër të tjera Kashkavi.
Ky vendim i Donald Trump-it, është pritur me protesta edhe në SHBA, madje edhe nga figura të famshme. (D.D/Shuplaka)