Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka deklaruar se investimet e huaja janë në pikiatë dhe se qeveria nuk ka asnjë politikë stimuluese fiskale apo ekonomike. Tabaku ka reaguar me një status në “Facebook” për raportin e FMN-së duke thënë se ai rikonfirmon atë çfarë opozita ka kohë që e shpreh me shqetësim, se kemi më pak investime të huaja.
Postmi:
“Investimet e huaja në pikiatë! Raporti FMN për investimet e huaja rikonfirmon atë çfarë opozita ka kohë që e shpreh me shqetësim. Kemi më pak investime të huaja, jemi të parafundit në rajon, qeveria nuk ka asnjë politikë stimuluese fiskale apo ekonomike. U mungon vizioni sepse fuqitë i kanë harxhuar për tendera e koncesione.
Ironikisht, sot kryeministri dhe ministri financave kanë shpallur nismën djallëzore të Rilindjes “Blej Shqipërinë përmes Koncesionit”. Duan të shesin një vend të cilin e kanë nxjerrë në koncesion, duan të shesin të ardhmen e qytetarëve pasi dështuan në çdo politikë ekonomike. Duan t’ia shesin bizneseve pranë tyre. Mbasi për 4 vite nuk ndërtuan asnjë shkollë të re, mbasi nuk hapen asnjë aks të ri rrugor, mbasi të ardhurat i ulen në nivele historike (vetëm vitin e fundit patën një mosrealizim prej 100 mln usd), filluan të riciklojnë premtimet e vjetra.
Shifrat janë kokëforta, fatkeqësisht kjo mungesë vizioni, ky klientelizëm e kjo rritje kaotike taksash këto efekte ka. Kësaj mënyre qeverisje i duhet thënë jo!
Taksa e sheshtë prej 9 % e bën Shqipërinë përsëri konkuruese në rajon, kthen besimin e investitorëve e i jep frymë ekonomisë e biznesit! Shqipëria duhet të luftojë për cdo vend pune që krijohen në rajon! Shqipëria duhet të jetë përsëri konkuruese!”, u shpreh Tabaku. (J.V/Shuplaka)