Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha duke e analizuar Rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë e ka vlerësuar atë si mjaft pozitive dhe një shtysë të fortë për Reformat. Gjosha e ka vendosur theksin te Reformat në vend si faktor të rëndësishëm për ecjen përpara të procesit të Integrimit.
Deklarata e Ministres Gjosha:
Rezulota e miratuar sot në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, është tregues i qartë e një tjetër shtysë e fortë, për të vazhduar punën me ritmet e duhura, me të gjitha reformat që mundësojnë luftën e ashpër kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe përmbylljen sa më të shpejtë të reformës zgjedhore.
Janë këto, kriteret kyçe që do të ngrenë standardet e demokracisë në vend dhe do të çojnë përpara procesin e integrimit. Nëpërmjet dialogut konstruktiv dhe vullnetit për konsensus, kjo rezolutë flet qartë për punën e madhe që na pret në vijim, ku të gjithë aktorët duhet të jenë bashkë, duke mos harruar për asnjë çast se kryeaxhenda e vendit është: Integrimi në Bashkimin Europian.
Thirrja e bërë nëpërmjet kësaj rezolute për hapjen e negociatave, me arritjen e progresit të besueshëm në implementimin e reformës në drejtësi, duhet të na angazhojë edhe më shumë që këtë gjuhë pozitive ta përkthejmë në rezultate të prekshme për qytetarët dhe të ardhmen tonë europiane.
Falenderimet më të sinqerta Parlamentit Europian dhe veçanërisht, z. Knut Flackenstein, për mbështetjen e pakursyer ndaj Shqipërisë.