Në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, Lulzim Basha, flet për zgjedhjet e qershorit, të cilat i konsideron si thelbësore për daljen e vendit nga kriza.
“Mesazhet i kam marrë në Washington, në Bruksel dhe Berlin nga përfaqësuesit më të lartë, mesazhet janë konfirmuar nga PPE, raporti i Këshillit të Europës dhe dje nga rezoluta e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian. Kjo zgjidhje kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, luftës dhe parandalimit të trafiqeve të drogës dhe padyshim përmes zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Duket Rilindja e 1 Prillit ka vetëm një qëllim: të ruajë gjendjen aktuale, të ruajë gjendjen kështu siç është. Pakica në pushtet është pasuruar në mënyrë marramendëse.”, tha Basha.
Sakaq, kreu i opozitës akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Saimir Tahiri për krijimin e një rrjeti kriminal në vend.
“Ky është skenari, i qartë në sytë e çdo shqiptari: Blerja e votës dhe kërcënimi për zgjedhjet. Këtë skenar e kanë denoncuar para medies vetë anëtarët e qeverisë, ish-ministri i drejtësisë dhe i Mjedisit. Edi Rama me ministrin e tij të drogës, Saimir Tahirin kanë krijuar në të gjithë vendin një rrjet kriminal të përbërë nga kriminel të regjur, narkotrafikantë të skeduar, kriminelë të hurit dhe litarit për të blerë zgjedhjet në llogari të Edi Ramës. Opozita e zotëron emër për emër, ndërkombëtarët gjithashtu.”, tha Basha.