Nga Enton Abilekaj
Nuk ka ndeshje mes Adriatik Llallës dhe Donald Lu, ka ndeshje të asaj që përfaqëson Llalla dhe asaj që përfaqëson Lu. Llalla përfaqëson kastën në pushtet, Lu përfaqëson një shtet aleat, që kërkon t’i japë fund kastës. Jo të gjithë shqiptarët e duan fundin e kastës. Militantët e partive që ndajnë pushtetin prej 25 vjetësh, votuesit mendjehumbur që i votojnë mekanikisht, konvencionalisht dhe vetë elita që ata kanë përfshirë apo ndërtuar me pushtetin, kanë formuar një bërthamë rezistence të fortë, të pasur, të frikshme. Por mbeten pakicë, përballë më shumë se 50 për qind të shqiptarëve që nuk votojnë për shkak të zhgënjimit, përballë 38 për qind të shqiptarëve që emigrojnë për shkak të varfërisë dhe mungesës së shpresës. Shumica është më e dobët, më e varfër, më e pambrojtur, e tradhtuar nga elita, nga media dhe nga një pjesë e korruptuar e shoqërisë. Krimi dhe korrupsioni sponsorizojnë politikanët që me pushtetin që marrin ushqejë krimin dhe korrupsionin. Në këtë valle shqiptare që është në fakt një rreth vicioz, kanë hyrë pa ftuar SHBA dhe BE. Diplomatët perëndimorë, në mes të një rrethi vicioz. Llalla është vetëm një ndër rrethuesit, Lu është vetëm një ndër të rrethuarit.
Kështu shpjegohet pse Adriatik Llalla u bë i pari zyrtar shqiptar që akuzon konkretisht një diplomat amerikan, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ambasadori ka ushtruar presion për qëndrimin ndaj Reformës në Drejtësi dhe për mbylljen e hetimeve për Bankers Petroleum. Pas 4 vjet e gjysmë në krye të Prokurorisë, pasi ka paralajmëruar disa herë se do të trondisë vendin me dosjet e tij, pasi nuk ka mundur të çojë në Gjykatë asnjë dosje të rëndësishme për ndonjë zyrtar të lartë, Llalla shpalli fajtor pa gjyq ambasadorin amerikan. Në një prononcim të gjatë, ku ambasadori Lu quhej edhe sorosian (megjithëse nuk sqarohej a ishte edhe kjo një akuzë), Prokurori i Përgjithshëm, e vuri veten në mbrojtje të Kushtetutës që po mundohet ta përdhosë për arsye personale Ambasadori Lu.
Nuk është vetëm Llalla që e mendon këtë, megjithëse është i pari që e shpreh zyrtarisht. Që në ditën e parë të paraqitjes së draftit të Reformës në Drejtësi, ambasadori amerikan, zgjodhi fjalët më pak diplomatike të shqipes për të paralajmëruar të gjithë ata që do ta kundërshtonin. Gjuha e ambasadorit nuk u duk aq e ashpër pas dështimeve të njëpasnjëshme dhe vonesës prej 1 viti për miratimin e reformës. Akuza e parë e Llallës rrëzohet këtu.
Ndërhyrja e ambasadorit në çështjen e Bankers Petroleum, nuk i ka pëlqyer askujt, ndoshta as atij vetë. Detyra ia kërkon të ndërhyjë në favor të kompanive me kapital amerikan. Ka patur edhe ndërhyrje të tjera, për çështje të tjera në qeveri. Jo vetëm nga Ambasadori amerikan, por nga të gjithë ambasadorët. Këto praktika janë pjesë e detyrave që kanë ambasadorët e të gjithë vendeve. Nuk janë personale dhe nuk janë detyruese.
Legjendat për politika personale të ambasadorëve amerikanë janë harruar shpejt. Një valë antiamerikanizmi pushtoi Edi Ramën dhe disa mbështetës të tij në 2011, kur ambasadori Arvizu, i sapoardhur në Shqipëri, negocioi pas 21 janarit dhe e quajti Berishën burrë shteti. Edhe atëherë, indigjenizuesit shqiptarë, të izoluar, akuzonin Arvizun për politika personale, por edhe SHBA për qëndrimet ndaj Shqipërisë e ndaj gjithë botës. Koha vërtetoi të kundërtën. Ambasadori Lu mund të fajësohej që, gjatë debateve për Reformën në Drejtësi, edhe për gjuhën e përdorur, edhe për afërsinë që krijoi me palën qeveritare në proces, por, kur ngriti zërin për mosarrestimin e Balilit dhe lirimin e Lul Berishës, ishte opozita që e citonte. Ambasada e SHBA, që financoi dhe po ndjek nga afër Reformën në Drejtësi, vazhdon të japë garancinë se nuk do të lejohen gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, të paaftë dhe partiakë që të kalojnë Vettingun. Metoda e anullimit të vizave, rruga e denoncimit publik për të arritur këtë qëllim, duken të ekzagjeruara, por janë të vetmet armë që u kanë mbetur për të çarë rrethin vicioz. Nga ana tjetër Adriatik Llalla nuk mund të bindë që mbron Kushtetutën sepse është emëruar pas një shkarkimi antikushtetues, nuk mund të pretendojë se po mbron Drejtësinë, kur emërimi i tij ishte akti i fundit i marrjes së kontrollit mbi drejtësinë nga maxhoranca e shkuar, nuk mund të denoncojë korrupsionin tek diplomati amerikan, kur ka organin e akuzës në varësi dhe çështjen e Bankers Petroleum nuk e coi kurrë në Gjykatë. Nuk mund të dalë si mbrojtës i Reformës në Drejtësi kur e shëmtoi procesin që në hapin e parë, duke e shndërruar shortin në emërim.
Në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, Llalla foli për sovranitetin e Prokurorisë së Përgjithshme, madje përsëriti termin guvernator i paemëruar për Ambasadorin Lu. Një term i vjetër, i përdorur nga pushtetarët në ikje që nga viti 1997. Pasi diskretitohen para publikut dhe e shohin që nuk kanë mbështetje, ata zgjedhin të mos fajësojnë veten, por një fuqi të madhe që ka punuar kundër. Këtë bëri Berisha i parë, më pas Nano në 2005, Rama në 2009 dhe 2011, këtë po bëjnë sot pushtetarët në ikje të kastës së kalbur. Ambasada amerikane ka qenë gjithmonë alibia perfekte për largimin e tyre. Alibi që rrëzohet nga varfëria dhe mungesa e shtetit, të shkaktuara nga korrupsioni, papërgjegjshmëria dhe paaftësia. Reforma në Drejtësi është mundësia e fundit për të ndryshuar këtë.