Shkrimtari i madh shqiptar Dritëro Agolli ndërron jetë në moshën 85-vjeçare në spital. Prej disa ditësh, ai ishte shtruar në sanatorium, për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore prej një sëmundje pulmonare.
Gjashtë ditë më parë, ai u dërgua me urgjencë në sanatorium, për shkak të komplikimeve në rrugët e frymëmarrjes. Fillimisht u raportuar në media se Agolli kishte refuzuar të shtrohej në spital, por pas këmbënguljes së familjarëve dhe të mjekëve ishte bindur. Por pavarësisht se ishte nën kujdesin intensiv të mjekëve, ai ndërroi jetë 8 ditë më vonë në spital, rreth orës 16:00 të pasdites së sotme.
Dritëro Agolli lindi në Menkulas të Devollit. Mësimet e para i mori në vendlindje, vazhdoi gjimnazin e Gjirokatrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg. Karrierën e nisi si gazetar. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë.
Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes.
Krijimtaria e Agollit:
Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë (Devon, Devoll, Poemë malore, Hapat e mia në asfalt etj.).
Vepra e tij poetike më e shquar është Nënë Shqipëri 1975 ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik. Në poemën Baballarët theksohet rëndësia e veçantë e vijimësisë së traditave revolucionare në jetën e shoqërisë.
Në një sërë vjershash dhe poemash Dritëro Agolli pasqyron frymën heroike të periudhës së Luftës ANÇ (Poema e udhës, Poemë për babanë dhe për vete etj.). Në prozë bëri emër sidomos romani Komisaar Memo (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ.
Nga ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani Njeriu me top (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve. Dritëro Agolli ka botuar edhe mjaft tregime e novela nga jeta e sotme. Ndër krijimet satirike romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo (1973) vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për njeriun e ri.
Ndër veprat e tij përmendim: Në rrugë dolla (1958), Hapat e mia në asfalt (1961), Zhurma e erërave të dikurshme (1964), Shtigje malesh dhe trotuare (1965), Mesditë (1968), Komisari Memo, roman (1969), Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, roman (1973), Nënë Shqipëri (1974), Njeriu me top (1975), Fjala gdhend gurin (1977), Trëndafili në gotë, roman (1980), Fytyra e dytë, dramë, Mosha e bardhë, dramë, Udhëtoj i menduar, 1985, Njeriu i mirë, tregime,Kalorësi lakuriq, roman – 1996, Arka e djallit, roman – 1997, I përndjekuri i dashurisë, poezi – 2013, Prit edhe pak, poezi – 2016. (D.D/Shuplaka)