Pak orë pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe poetit të madh shqiptar Dritëro Agolli, ish-deputeti Koço Kokëdhima shpreh dhimbjen e tij përmes një shkrimi dhe publikimit të disa fotove.
“O i pavdekshmi Dritëro!
Këto foto i kam kujtim nga vizita e fundit që bëra në shtëpinë e Dritëroit, në tetorin e vitit 2014. Bëmë shakara, kujtuam shumë ngjarje dhe njerëz, ndërsa zonjë Sadija na sajdisi me një raki shumë të mirë Përmeti. Dritëroi ishte i kthjellët, gëzonte shëndet të mirë, edhe pse i duhej të përdorte herë pas here tubat e oksigjenit. Ishte i dashur dhe i mençur, patriot e atdhetar si askush tjetër, një patrik i ndritur që i ndiqte me aq pasion e përkushtim të gjitha zhvillimet politike, ekonomike, kulturore, sportive e shoqërore të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mbaj mend se diskutuam për politikën, për ngjarjet e fundit në stadiumin e Beogradit dhe për të majtën shqiptare.
Koha fluturoi dhe kur u ndamë e ftova në shtëpinë time. Shëndeti nuk ia krijoi mundësinë Dritëroit dhe ky mbeti takimi ynë i fundit.
Ikja jote Dritëro është kaq e dhimbshme për të gjithë popullin tonë. Ne dhe brezat që vinë nuk do të harrojmë kurrë, i madhi Dritëro, do të takojmë në librat e tu, në fjalët që aq bukur ia kushtove popullit dhe Atdheut tënd, i shtrenjti Dritëro, në këshillat e urta e plot mençuri, në kujtimet aq të çmuara nga jeta jote, që shqiptarët do t’i përcjellin me dashuri nga brezi ne brez,
O i pavdekshmi Dritëro!
Të qoftë i lehtë dheu yt!”, shkruan Kokëdhima.
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1025″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]