Nuk janë të pakta vargjet që Dritëro Agolli gjatë krijimtarisë së tij i shkruante edhe vdekjes. E derisa dje ajo erdhi pranë tij, për ta larguar përgjithnjë nga kjo botë. I shtruar në spital pa dëshirën e tij Dritëro Agolli u përpoq po nuk ja doli. Fundja veprat janë të përjetshme, njerëzit jo.
I njohur për shkrimet po edhe për mendimet e tij të vyera në politikë dhe çështje të tjera padyshim që Agolli ishte dhe një mik shumë i madh i medias.
“Amaneti i Dritëroit: Trupin ma hidhni në Devoll”, titullohet intervista që poeti i dha kryeredaktorit të “GSH”, Erl Murati më 2 nëntor 2010. Asokohe, temë e ditës ishte ngjarja makabër e Boboshticës, ku ngritja e memorialit për vrasjen e një ushtari grek u shoqërua me dhunimin e varreve të vjetra të banorëve shqiptarë të zonës. Pati shumë ankesa dhe irritim nga boboshticarët, ankesat e të cilëve nuk u shpërfillën nga “OMONIA” dhe minoriteti grek. Dritëroi foli, siç dinte ai, me sarkazmën e thjeshtë dhe “amanetin”: Kur të mos jem, eshtrat m’i hidhni në Devoll.
“Dhe pas asaj që ndodhi, nuk besoj të ketë njeri me mend, që të lërë ndonjë testament ku të kërkojë t’i bëjnë ndonjë bust a përmendore. Qoftë ky inxhinier me famë, shkencëtar apo poet, askush nuk ka më dëshirë të bëhet monument për të. Unë për vete nuk do të kisha dëshirë të më bëhej, gjithnjë nëse do ta meritoja.
Madje, siç ka ardhur një kohë që mbi kockat tona vijnë e ngrihen kryqe e gjysmëhëna në varreza, më mirë do të ishte që ta digjnin trupin, ta kthenin në hi dhe ta hidhnin në lumë, në Devoll. Aty askush nuk e gjen dot. Edhe unë po mendoj për këtë gjë; sa të dhjesin grekët mbi mua, më mirë të më digjet trupi e të hidhet në Devoll, se aty s’kanë nga ta gjejnë”, u përgjigj Dritëroi më nëntor 2010. (E.K/SHUPLAKA)