Ben Blushi ka mbledhur sot strukturat e LIBRA-s. Në fjalën e tij ai u ndal gajtë te situata aspak e mirë që po kalon vendi ynë këto ditë. Ndërkohë përsa i përket Reformës Zgjedhore Blushi ndan të njëjtin qëndrim me Partinë Demokratike se zgjidhja e vetme për zgjedhje të lira është votimi elektronik.
Fjala e Blushit:
Libra është një pronë e përbashkët e një pasuri e përbashkët, që duhet ta mbrojmë dhe ta përmirësojmë duke u përpjekur përditë.
Unë ndaj të njëjtën pikëpamje se Shqipëria sot është në një situatë të vështirë. Reforma zgjedhore është bllokuar. Dhe partitë e mëdha nuk e kanë zgjidhur e nuk duan ta zgjidhin se si do të numërohen votat. A ka një vend në botë ku qeveritë numërojnë votat e atyre që duan të dorëzojnë? Por qeveria shqiptare nuk ka e nuk mund të ketë të drejtë të numërojnë votat e kundërshtarëve të vet. Por kjo ndodh. Dhe kjo e bën Shqipërinë një demokraci të kapur. Për këtë është krijuar LIBRA për ta shembur këtë politikë.
Më shumë se 1 mln shqiptarë janë larguar nga vendi. Nuk duam që këto parti të numërojnë votat tona. kjo gjë s’mund të bëhet nga ata që janë mësuar të shesin e blejnë vota. Ne kemi kërkuar e do të kërkojmë numërim elektronik. Kjo ka kosto më të ulëta se numëruesit manual. Nuk do pranojmë që partitë e vjetra të numërojnë votat e LIBRA-s.
Jemi të bindur se pajisjet e numërimit, nuk flenë, nuk blejnë vota, nuk duan të bëhen as doganierë, as taksidarë, nuk kanë pronarë në drejtësi. Ndaj e kërkojmë këtë për këto zgjedhje, e do bëjmë gjithçka për ta arritur.
Situata në Shqipëri është shumë e pastabilizuar. Reforma në Drejtësi duket sikur po bllokohet sërish. Ne e kishim thënë se ata që kanë bërë ligjin, do bëjnë gjithçka për të kapur ata që ligji i emëron.
Kjo praktikë e cënon frymën e reformës në drejtësi. Shqiptarët sot për fat të mirë kanë një perceptim të drejtë për atë që po ndodh, e dinë që klasa e tyre politike po bën gjithçka për ta bllokuar reformën, ndërsa SHBA po bën gjithçka për ta zhbllokuar dhe për të ecur përpara.