Në një deklaratë për mediat, demokrati Edi Paloka ka komentuar aktivitetin e djeshëm ku ministri i Financave, Arben Ahmetaj, shfaqej krahas Elvis Rroshit, i cili u lirua nga detyra e kryebashkiakut të Kavajës pas kërkesës së KQZ-së.
Por Paloka shprehet se në këtë aktivitet, Ahmetaj shfaqet me përulësi dhe respekt përpara Elvis Rroshit, duke e cilësuar atë kryetar bashkie. Sipas demokratit, kjo tregon se Edi Rama nuk ndahet dot nga krimi, trafiku, droga.
Ai bën thirrje që më 18 shkurt, shqiptarët t’i bashkohen protestës së opozitës për t’i dhënë fund krimit.
Reagimi i plotë i Edi Palokës:
Edi Rama ka vendosur të mos zbatojë dekriminalizimin, të mos zbatojë vendimin e prokurorisë, të Komisionit Qëndror të zgjedhjeve, madje as vendimin e qeverisë së tij, për largimin e Elvis Rroshit nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Kavajës.
Më 29 dhjetor të vitit të kaluar, KQZ zbatoi urdhërin e prokurorisë për ti hequr mandatin Elvis Rroshit, bazuar në ligjin e dekriminalizimit, dhe pas kësaj doli një vendim qeverie që e shkarkonte atë nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Kavajës.
Por dje, ministri i financave i Edi Ramës, jo vetëm shfaqet me përulësi e respekt para Elvis Rroshit, në një aktivitet politik në Kavajë, por e cilëson atë publikisht kryetar Bashkie.
Edi Rama del kështu kundër qytetarëve, kundër institucioneve, kundër kërkesës së Europës, dhe mbron krimin deri në fund.
Me veprimin e tij, Edi Rama e ka bërë zero përpjekjen e mundimshme të opozitës e partnerëve ndërkombëtarë dhe vullnetin e popullit për hartimin dhe zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.
Kjo është një tjetër dëshmi se Edi Rama nuk ndahet dot nga krimi. Nuk ndahet dot nga
trafikantët dhe droga. Prandaj nuk e do votimin dhe numërimin elektronik. Sepse kështu nuk e ndihmon dot, as ai krimin, as krimi atë. Zgjedhjet e lira janë fundi i krimit në politikë.
Ndaj me 18 Shkurt ne ngrihemi bashkë për t’i prerë rrugën krimit në politikë, për ti dhënë mundësinë shqiptarëve të zgjedhin të lire qeverisjen e tyre.
(XH.A/SHUPLAKA)