“I kërkoj falje kë mund të kem ofenduar pa dashje, përveç Taulant Ballës. Ai nuk e meriton”. Ish-kryetarja e Kuvendit për tetë vitet e Partisë Demokratike në pushtet ka deklaruar kështu në një intervistë në emisionin “Pasdite në Top Channel”.
Jozefina Topalli, e njohur për drejtimin me dorë të fortë të Parlamentit, befas ka nxjerrë një anë tjetër, kur ka thënë se katër deputetë socialistë i kanë shkruar poezi dhe ja kanë lënë mbi tavolinë. Ajo është e njohur gjithmonë për sensin e saj të humorit dhe ironinë e thellë që nuk ka munguar as përkundrejt deputetëve socialist.
Pasdite: Ke bërë njeri të ndjehet keq në Parlament?
Jozefina Topalli: Nëse e kam bërë i kërkoj ndjesë. Nëse e kam bërë do t’i kërkoja ndjesë.
Pasdite: E mban mend atë momentin me Taulant Ballën?
Jozefina Topalli: Ai e meriton!
Pasdite: Nuk do t’i kërkoje ndjesë atij për atë situatë?
Jozefina Topalli: Jo! Është i vetmi njeri që nuk i kërkoj ndjesë. Do t’i kërkoja ndjesë kujtdo tjetër, vetëm atij jo.
Pasdite: Ke qenë shumë e tensionuar dhe shumë e mërzitur kur ke thënë shprehjen me “zhele”.
Jozefina Topalli: Pas 10 orësh, kishte seanca, si buxheti që fillonte në 10 të mëngjesit dhe mbaronte pas mesnate. Aty çfarë nuk dëgjoja dhe 12 orë seancë plenare edhe të rrëshqet ndonjë fjalë. Por ajo fjalë nuk fjalë e keqe në shkodrançen time, të tjerët ndoshta e kanë keqkuptuar.
Pasdite: Nga krahu tjetër, të kanë vlerësuar për të njëjtat motive, e ke ndjerë?
Jozefina Topalli: Meqënëse ma kujtuat, pas vdekjes së Dritëro Agollit dhe unë shpreh ngushëllimet. Unë isha nënkryetare e Parlamentit dhe dikush bëri një poezi aty. Por jo vetëm Dritëro Agolli, por janë të paktën 3-4 deputetë të Partisë Socialiste që më bënin poezi dhe m’i linin mbi tavolinë. Ishin shumë njerëzorë. (E.K/SHUPLAKA)