Investimi më i fundit në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” ka bërë të mundur shtimin e gamës së diagnostikimit dhe trajtimit për të gjithë pacientët që vuajnë nga sëmundjet pulmonare. Falë një investimi me vlerë afro 50 mijë euro u bë e mundur blerja e një pajisjeje të re të Krioterapisë (Cryotherapy) dhe Diagnozës Endobronkiale, e cila rrit gamën diagnostikuese, por edhe trajtuese, të të gjithë sëmundjeve pulmonare, duke filluar që nga kanceri i mushkërive, por edhe sëmundje të tjera të sistemit respirator.
Një pajisje e tillë e avancuar mjekësore, e cila vihet për herë të parë në përdorim në Shqipëri, përveç diagnozës, e cila ndihmon në marrjen më të lehtë të biopsisë, realizon gjithashtu edhe marrjen e një pjesë më të madhe të indit që ndihmon në rritjen e përqindjes të përcaktimit më të saktë të diagnozës.
Falë kësaj pajisjeje, afro 800 nga 2 mijë pacientë që i nënshtrohen çdo vit procedurave endoskopike, do të mund të bëjnë endoskopi me teknologji moderne dhe ky shërbim do t’ju ofrohet tërësisht falas.
Dr. Ilir Peposhi, shef i shërbimit të Bronkoskopisë në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, shprehet se blerja e kësaj pajisjeje është një ndihëm e madhe edhe për mjekun për përcaktimin e diagnozës, duke shtuar se një pajisje e tillë po përdoret sot në spitalet më moderne në Europë.
“Është një aparaturë, e cila ndihmon pacientin, ndihmon dhe mjekun. Është një ndër trajtimet më të reja dhe në botë të kancerit bronkopulmonar ose ai që quhet trajtimi multimodal. Pra, një ndër modalitetet e trajtimit është pulmonologjia intervencionale e cila realizohet nga kjo aparaturë e cila tashmë është prezentë në spitalin tonë. Është një ndër aparaturat e para e cila nuk ka ekzistuar asnjëherë në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi””, shprehet Dr. Peposhi.
Ai shton gjithashtu se para blerjes së kësaj pajisjeje, “vështirësia ka qenë dhe e jona dhe e pacientit dhe kjo do të na lehtësojë shumë punë qoftë për diagnozën nëpërmjet kësaj aparature qoftë në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Është një aparaturë me një vlerë goxha të madhe në shërbim të pacientit, në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientit por dhe në ndihmë të mjekut, sepse mjeku është ai që përballet dhe që lufton me sëmundjen”.
Investime të tilla, ndikojnë jo vetëm në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve, por edhe krijimin e kushteve bashkëkohore për personelin mjekësor, duke zvogëluar përherë e më tepër boshllëkun ndërmjet kapaciteteve profesionale dhe ofertës së pajisjeve bashkëkohore në institucionet tona shëndetësore.
Të njëjtin mendim ndan dhe Dr.Ilir Peposhi, Shef i Bronkoskopisë, spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”:
“Kjo është një pajisje e re për shtimin e gamës së diagnozës së sëmundjeve pulmonare, sidomos sëmundjet malinje, pra rrit gamën diagnostike të të gjithë sëmundjeve pulmonare, duke filluar që nga kanceri pulmonar, sëmundjet e ndryshme.
Po përveç kësaj, kjo është një pajisje, e cila përveç diagnozës, e cila ndihmon pra, në marrjen e biopsisë duke shmangur dhe risqe të tilla, siç janë hemoragjia që mund të ndodhë gjatë marrjes së biopsisë. Pozitive e kësaj është në vendosjen e diagnozës të sëmundjeve të ndryshme pulmonare, pra bronkiale dhe pulmonare, është se kjo metodë realizon marrjen e një pjesë më të madhe të indit, qoftë tumoral ose jotumoral, që ndihmon dhe në rritjen e përqindjes të saktësisë së diagnozës dhe të lehtësisë për anatomo-patologun, i cili vë diagnozën.
Është një pajisje e cila nuk shërben vetëm në lëmin diagnostik, por edhe në lëmin terapeutik. Pra, duke filluar që nga problemet më të thjeshta, që janë heqja e trupave të huaj në pemën trakeobronkale, të cilat hiqen me mjaft vështirësi me metoda të ndryshme. Përveç kësaj, domethënë, kjo bën dhe në lëmin terapeutik përsa i përket pneumologjisë intervecionale, e cila është një fushë e re 20-25 vitet e fundit që ka filluar edhe në Europë dhe në Amerikë.
Është një aparaturë, e cila ndihmon pacientin, ndihmon dhe mjekun. Është një ndër trajtimet më të reja dhe në botë të kancerit bronkopulmonar ose ai që quhet trajtimi multimodal. Pra, një ndër modalitetet e trajtimit është pneumologjia intervencionale, e cila realizohet nga kjo aparaturë, e cila tashmë është prezentë në spitalin tonë. Është një ndër aparaturat e para e cila nuk ka ekzistuar asnjëherë në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.
Vështirësia ka qenë dhe e jona dhe e pacientit, dhe kjo do të na lehtësojë shumë punën, qoftë për diagnozën nëpërmjet kësaj aparatureje, qoftë në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Është një aparaturë me një vlerë të madhe në shërbim të pacientit, në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientit, por dhe në ndihmë të mjekut sepse mjeku është ai që përballet dhe që lufton me sëmundjen.
Ky është prodhimi më i fundit nga kompania gjermane, e cila ka ekskluzivitetin botëror të kësaj, dhe kjo është fjala e fundit e shkencës përsa i përket Krioterapisë dhe Diagnozës Endobronkiale. (E.K/SHUPLAKA)