Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka reaguar përsëri, për herë të dytë në lidhje me deklaratën e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati sa i takon votës së Shqipërisë në Asamblenë e NATO-s të mbajtur në dhjetor. Edhe sot kreu i shtetit e ka cilësuar të pavërteta deklarat e Bushatit, duke i quatur si një dezinformim të përsëritur.
Njoftimi:
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani shpreh keqardhjen për disinformimet e përsëritura e të pavërteta të Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe nëse nuk do të ishte një çështje e rëndësishme e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin kryesor strategjik të Shqipërisë, si dhe vendet partnere në NATO, nuk do t’i kthente përgjigje disinformimit të radhës së Ministrit.
Disinformimit të djeshëm në Komisionin për Politikën e Jashtme, sot Ministri Bushati i ka shtuar edhe një të ri, duke pretenduar se i është përgjigjur në formë shkresore Presidentit përpara deklaratës së tij të ditës së djeshme në Komisionin Parlamentar.
Edhe ky pretendim i Ministrit Bushati nuk është aspak i vërtetë, pasi shkresa ka mbërritur në Presidencë dhe është regjistruar nga autoritetet e Gardës së Republikës, në orën 10:00 të datës 07.02.2017, si dhe pak minuta më vonë nga strukturat e protokollit të Institucionit të Presidentit të Republikës. Këto janë lehtësisht të verifikueshme dhe jo pretendimet disinformuese të Ministrit. (J.V/Shuplaka)