Në ndeshjen e fundit që Skënderbeu fitoi me Korabin në stadiumin “Elbasan Arena” ra në mungesa e sulmuesit iranian, Reza Karimi. 18-vjeçari nuk ishte i grumbulluar dhe nuk ndodhej as në tribunë për të ndjekur shokët. I cilësuar si një lojtar i rëndësishëm nga trajneri Ilir Daja, nisur nga potenciali që ka, iraniani i çuditi të gjithë me mospraninë e tij ditën e ndeshjes. Për këtë arsye, u krijuan mjaft pikëpyetje në lidhje me të ardhmen e lojtarit.
Megjithatë, njw e pwrditshme u interesua posaçërisht për këtë rast dhe zbuloi se mungesa e Reza Karimit ishte shkak i një problemi me dokumentacionin në shtetin e tij, çka e detyroi lojtarin të udhëtonte me urgjencë drejt Iranit. Burime në klub treguan dje për gazetën se sulmuesi 18-vjeçar kishte përfunduar shkollën e mesme dhe në këto kushte pranë familjes së tij në Iran kishte mbërritur një fletëthirrje për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Në shtetin iranian rregullat janë shumë strikte dhe kjo shqetësoi shumë lojtarin. Pasi foli me drejtuesit e klubit, Karimi u detyrua të largohej me urgjencë nga Shqipëria për të mbyllur të gjithë dokumentacionin përkatës dhe për të justifikuar mungesën e kryerjes së shërbimit ushtarak në vendin e tij. Nëse ai nuk bënte këtë udhëtim, rrezikohej që lojtari të merrej edhe forcërisht nga autoritetet e shtetit të tij për të kryer ushtrinë.
Pasi mbylli të gjitha dokumentacionet, Reza Karimi u rikthye dje pranë ekipit, duke u vënë menjëherë në dispozicion të trajnerit Ilir Daja për ndeshjen e radhës kundër Laçit. Në klub kanë marrë garanci nga lojtari dhe menaxheri i tij që shteti iranian nuk do t’i hapë probleme 18-vjeçarit.
Historia e Reza Karimit ka qenë mes problemesh te Skënderbeu, teksa gjithçka nisi në verën e vitit të kaluar. Pasi klubi pikasi lojtarin dhe talentin që ai kishte, firmosi një kontratë, por nuk arriti ta federonte në kohë, për shkak të problemeve me dokumentacionin. Klubi ku Karimi ishte aktivizuar për herë të fundit nuk iu përgjigj në kohë kërkesës së Skënderbeut dhe në këto kushte i riu qëndroi në Korçë vetëm për stërvitje deri në muajin dhjetor. Vetëm në merkaton e janarit Skënderbeu arriti të federonte sulmuesin. (E.K/SHUPLAKA)