Tashmë mes Tiranës dhe tifozerisë duket se marrëdhëniet janë prishur përfundimisht.
Nëpërmjet faqes së tyre në rrjetin social “Facebook”, grupimi i tifozerisë bardheblu “Fanatics”, i cili ka ndjekur prej vitesh skuadrën kudo, ka sqaruar mungesën e tyre në këto ndeshje nëpër stadiume, që ka ardhur në shenjë proteste për vendimin që ka marrë presidenti Refik Halili për të lejuar edhe Partizanin të zhvillojë ndeshjet brenda në “Selman Stërmasi”.
Po në këtë njoftim, ata theksojnë se nuk do të jenë më të pranishëm në ndeshjet e Tiranës, deri në dorëheqjen e presidentit aktual Halili.
Kjo është një nga situatat më të vështira të skuadrës me më shumë trofe në vend, e cila përveç problemeve sportive me mungesa lojtarësh e me shumë dëmtime, tashmë në momentin më të vështirë të kampionatit i mungon edhe “lojtari i 12”, tifozeria, që ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e ndeshjeve. (E.K/SHUPLAKA)