Flet aktivisti Eljan Tanini, i cili së fundmi ka realizuar një ide në parkun e liqenit artificial në Tiranë. Sipas Taninit libraria e realizuar nuk është ndërtim, por një ide e lëvizshme e tij dhe një grupi të rinjsh. ‘Unë nuk jam një njeri që shkruaj dhe shaj dhe të ofendoj çdo ditë nga mëngjesi deri në darkë dhe të bëj statuse në ”Facebook” që të shaj qeverinë apo bashkinë për interesa të caktuara. Unë jam një njeri që kur dua të bëj një gjë dhe më pëlqen dhe që është e bukur siç unë e ndjej dhe siç e ndjen grupi ku unë bëj pjesë, jam i gatshëm që ta bëj atë ide”, rrëfen Tanini.
Eljan, cili është versioni yt lidhur me kioskën te liqeni artificial?
Unë kam një nismë timen që quhet ”Mbill pemën tënde” dhe për 2 vjet në gjithë Shqipërinë kemi mbjellë rreth 11 mijë e ca fidanë. Bashkë me ”Ecovolis” dhe disa të rinj të tjerë për të bërë këtë idenë në parkun e liqenit, një bibliotekë në natyrë, që quhet ”LibrAria”. Nuk ka mënyrë më të bukur për ta dashur parkun e liqenit se sa me libra, mes natyrës, mes mjedisit, edhe përballë gjërave që shkojnë edhe nuk shkojnë. Kjo është ideja.
Ajo është menduar si një hapësirë publike, falas, ku njerëzit mund të vijnë atje, që të bëjnë ç’të duan, muzikë, art, mund të lexojnë librat, mund t’i shfletojnë, po kryesisht kanë një lëvizje për fëmijët. Ideja është, që siç e keni parë sot nga fotot, të afrohen më shumë fëmijët me librin, me natyrën dhe t’i harrojnë telefonat.
Nëse unë kam ide shumë të mira dhe nëse i bashkohem grupimeve që ndajnë të njëjtin grupim me mua kjo nuk do të thotë që unë s’duhet t’i bëj idetë e mia për hatër të protestave që mund të kem bërë më përpara ose për hatër të situatave të ndryshme që mund të kenë ndodhur në jetën time.
Nëse unë dua të bëj një gjë të bukur, që e ndjej…pra parketi i librarisë është dhuratë, është donacion, edhe librat janë donacion, xhamat janë donacion, kasa është donacion, dërrasat janë donacion.
Ka kritika ndaj faktit që ka ndodhur. Pra dikur ke protestuar kundër ndërtimeve që bëheshin te liqeni, sot kritika kryesore është që është vendosur një ndërtim. A mund të më thuash çfarë është konkretisht?
Jo. Më fal. Nuk është ndërtim. Është një gjë me xham dhe me dru mbi një mbajtëse druri.
Sa do qëndrojë aty?
Është e përkohshme! Jo e përhershme. Do lëvizi brenda parkut të liqenit. Nuk do qëndrojë këtu. Asnjëherë. Pra kjo është një gjë që nuk më ka marrë njeri të më pyesë siç po më pyet ti tani.
Libraria është një hapësirë që do lëvizë brenda parkut të liqenit. Sot qëndron këtu, pas 6 muajsh, pas një viti ikën. Ky është një sistem i matjes së vlerave të fëmijëve që ne po përpiqemi t’i njohim dhe të dimë ku kanë dëshirë fëmijët të rrinë, apo të luajnë.
Këto janë kryesisht libra për fëmijë?
Ato që kemi marrë, një farë donacioni që kemi marrë deri tani janë libra për fëmijë, por ka edhe për të rritur. Presim akoma donacione, por qëllimi më i madh është te librat për fëmijë.
Si ju përgjigjesh kritikave? Dikur protestoje, sot kemi një projekt?
Nuk është një projekt. Është paraqitur një ide dhe unë nuk mund t’i bëj bisht ideve të grupeve të shoqërisë sime, të shokëve të mi dhe atyre që e duan natyrën. Unë nuk mund të mos i bashkangjitem ideve të bukura të natyrës siç është kjo këtu. Pra unë nuk jam një njeri që shkruaj dhe shaj dhe të ofendoj çdo ditë nga mëngjesi deri në darkë dhe të bëj statuse në ”Facebook” që të shaj qeverinë apo bashkinë për interesa të caktuara. Unë jam një njeri që kur dua të bëj një gjë dhe më pëlqen dhe që është e bukur siç unë e ndjej dhe siç e ndjen grupi ku unë bëj pjesë, jam i gatshëm që ta bëj atë ide. Ndryshe i bie që të gjitha ndjesitë e mia, të gjitha gjërat që unë dua të bëj në jetën time, të mos i bëj sepse vendi drejtohet nga disa njerëz që unë nuk duhet t’u marr leje për të bërë idetë.
Ku ke marrë leje për këtë projekt?
Edhe njëherë, kur thuhet projekt do të thotë se ti ke marrë disa para. Zakonisht njerëzit janë mësuar që kur bën një projekt merr para nga një organizatë. Nuk është kështu. Është një ide e pastër në parkun e liqenit, e cila do zhvendoset edhe në park edhe në një hapësirë tjetër më vonë.
A ke marrë leje te Veliaj apo jo?
Nëse unë dua të mbjell disa pemë, nëse kam një ide, nëse kam një projekt për të mbjellë disa pemë në republikën e Shqipërisë, mund të mos ta dua Ministrinë e Mjedisit por lejën për t’i mbjellë ato fidanë, ato pemë, ma jep Ministria e Mjedisit, m’i jep Kryeministria ose institucionet përkatëse.
Nëse unë dua të bëj një gjë në parkun e liqenit, nëse dua të marr një leje për të shfrytëzuar diçka, të përhap një ide timen, unë sigurisht që duhet të marr leje në Bashkinë e Tiranës.
Sigurisht. Po është marrë leje në bashki.
A je favorizuar nga Bashkia e Tiranës për këtë ide?
A jam favorizuar?! Unë të thashë që kjo është një ide në grup. Janë disa të rinj që janë angazhuar për të gjetur secili detyrën e vet, filani gjen diçka, dikush diçka tjetër.
Është një ide dhe punë vullnetare në grup. Ne jemi një grup që kemi punuar për këtë gjë, është ”Ecovolis”, është ”Mbill pemën tënde” dhe një grup të rinjsh që i janë bashkuar kësaj ideje për të patur këtë bibliotekë në natyrë. E kuptoni që është e para bibliotekë në natyrë, mes parkut, mes mushkërive të liqenit?!Është ide e një grupi qe e do natyrën me pemë dhe libra.(V.G/SHUPLAKA)
![](http://faxnews.wpengine.com/wp-content/uploads/2017/02/libraria2-533x400.jpg)