Greqia i dërgon për herë të dytë kërkesë Shqipërisë për arrestimin e të ashtuquajturit “Escobari i Ballkanit”, Klement Balili.
Interpol Athina i ka përcjellë Interpol Tiranës dokumentin e vendimit penal të Gjykatës së Apelit në Greqi, më 30 janar të këtij viti. Gjykata greke ka lënë në fuqi urdhërarrestin ndërkombëtar ndaj Balilit, dhe e ka përditësuar atë me informacione të reja mbi aktivitetin e jashtëligjshëm të të shumëkërkuarit.
“Është e nevojshme të vazhdojnë kërkimet ndaj tij, na njoftoni se keni lokalizuar këtë person, nëse është identifikuar gjeneraliteti i tij dhe nëse përdor apo jo të njëjtën pasaportë me nr. BF 2613552, apo ka një mjet tjetër identifikimi”, thuhet në shënimin e Interpolit grek.
Në këtë dokument, thuhet se grupi kriminal i Klement Balilit përbëhet nga të paktën 11 persona. Ndërkohë, ai akuzohet se për një periudhë dy vjeçare, nga 2014-ta në 2016-ën, ka transportuar në total 3.8 tonë kanabis dhe 83 kilogramë kokainë.
Sipas raportimeve, pas mbërritjes së këtij dokumenti në Shqipëri, policia i ka kërkuar leje Prokurorisë për përdorimin e pajisjeve e metodave speciale të gjurmimit, si mënyrë për të ndihmuar procesin e kërkimit të Balilit.
Deri më tani, Klement Balili i ka shpëtuar disa operacioneve policore, ndërkohë që policia ka vendosur edhe një shpërblim prej 30 mijë eurosh për atë që jep të dhëna për kapjen e tij. (D.D/Shuplaka)