Deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia ka folur edhe sot në foltoren e Kuvendit për akuzat e artikuluara prej Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma se ka marrë 6 miliardë e 700 milion lekë tendera në tre vjet nga qeveria. PD e akuzonte Qefalian se përmes firmave të nipërve të tij kishte marrë fonde të shumta nga buxheti i shtetit.
Sipas tij, PD-ja duhet t’i verifikojë akuzat që të dijë të përballet në Prokurori më pas, ndërsa shtoi se me shumat e mëdha që përmendin po e vënë në siklet edhe me kolegët.
“Nuk dua të fyej atë që bëri deklaratën dje, asaj kështu i kanë thënë, por të jenë të vendosur të përballen edhe në prokurori. Të mos thonë kështu ma dhanë dhe kështu e thashë. Unë quhem Xhemal Qefalia, jam banor autokton në Tiranë, kam pasur prona të trashëguara dhe vazhdoj t’i kem, nuk i përkas kategorisë që u bëra ministër e deputet e pastaj pronar. Jini korrekt dhe të bindur, personi im s’ka abuzuar dhe s’ka përfituar nga tendera. Më keni vënë në siklet edhe me kolegët se më kanë thënë sa shumë paske fituar nga firma e kushërinjve”,- tha Qefalia. (E.K/SHUPLAKA)