Ministria e Drejtësisë ka përshëndetur Policisë e Shtetit për arrestimin e autorit që kërcënoi prokurorin e Prokurorisë Krujë, Bujar Memia.
“Ministria e Drejtësisë mbështet plotësisht dhe do të inkurajojë me forcë punën e prokurorisë në luftën me krimin e organizuar si dhe me ata që kryejnë vepra penale të të gjitha natyrave. Ministria e Drejtësisë mbështet edhe punën e dhjetra prokurorëve të ndershëm që respektojnë ligjin e që përballen në mënyrë të përditshme me botën e krimit edhe duke sakrifikuar në emër të sigurisë publike dhe qetësisë së jetës së qytetarëve shqiptarë”, shkruhet të njoftimin për media të ministrisë.
Sipas ministrisë ajo dënon prerë dhe në mënyrë kategorike çdo lloj kërcënimi që ju bëhet punonjësve të ligjit.
“Dënojmë gjithashtu retorikat e çdo lloji dhe ngado që ato vijnë dhe që dekurajojnë këta punonjës të ndershëm të ligjit në misionin e tyre për të çuar përpara drejtësisë kriminelët, të korruptuarit dhe dhunuesit e jetës dhe qetësisë së qytetarëve shqiptarë.
Ministria e Drejtësisë mbështet plotësisht bashkëpunimin pa asnjë kushtëzim të të gjithë institucioneve të ngarkuara me ligj, për të luftuar krimin e organizuar dhe drogën dhe do të vazhdojë të jetë e palëkundur në gadishmërinë e saj për të bashkëpunuar e bërë gjithçka që asaj ligji i ngarkon në këtë luftë që lidhet me të ardhmen në vend”, përfundon njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë. (J.V/Shuplaka)