Një ditë pas grabitjes së djeshme në afërsi të Rinasit, Prokuroria e Krimeve të Rënda zbulon një nga pistat e hetimit.
Prokurorët dyshojnë se grupi që kreu grabitjen e djeshme, është i njëjti që kreu edhe grabitjen e 3 dhjetorit të 2015-ës, në të njëjtin aks rrugor Qafë Kashar-Rinas.
Sipas burimeve nga prokuroria për një të përditshme shqiptare, skena e krimit ka qenë e njëjtë në të dyja grabitjet: dy automjete, i njëjti numër grabitësish dhe e njëjta metodologji e përdorur.
Gjatë grabitjes së djeshme, njëri nga automjetet e grabitësve tentoi të nxirrte nga rruga autoblindin me paratë e BKT-së, në të njëjtën mënyrë si në grabitjen e kaluar.
Sipas dëshmitarëve, grabitësit ishin të maskuar me veshje kamuflazh, të ngjashme me ato të forcave speciale. Për këtë arsye, policia mendon se bëhet fjalë për të njëjtët grabitës, pasi edhe veshjet janë të ngjashme. (D.D/Shuplaka)